Bota e futbollit pyet veten se kur do të jetë e mundur të rifillojnë garat e ndryshme, ndërsa të gjithë janë karantinuar prej pandemisë së “Coronavirus”.
Ndërkohë, drejtori sportiv i Ajax, Marc Overmars, ka shpërthyer rëndë kundër UEFA-s. Menaxheri hollandez e tregoi me gisht organin më të lartë të futbollit europian, lidhur me menaxhimin e kësaj emergjence.
Për “Telegraaf”, ai tha: “Është e pakuptueshme që UEFA dhe Federata Hollandeze e Futbollit të mos i ndalojnë përfundimisht garat. Ata po sillen si Trump, një javë më parë. Ne po shohim qindra vdekje çdo ditë, ndërsa ekonomia (paratë) është më e rëndësishme për to sesa shëndeti”.
Overmars dënon qëndrimin pritës dhe hezitimin e UEFA-s në marrjen e vendimeve përfundimtare në lidhje me garat në të gjithë Europën. Pra, kaosi mbretëron me pikëpamje të shumta e të kundërta.
Ka nga ata që dëshirojnë të mbarojë sezoni, ndërsa të tjerë preferojnë që ai të mbyllet përfundimisht. Sidoqoftë, vetëm evolucioni i kësaj emergjence do të japë përgjigjet e duhura./telesport/