Kukësi do të përballet me një tjetër rival direkt për titull ditën e diel, të cilëve do të kërkojë me patjetër t’u kthejnë reston. Mbas një ndeshjeje shumë të mirë ndaj Tiranës, por edhe pas një rasti mjaft të dyshimtë të golit të anuluar të Eze, tri pikët mbetën në tentativë.

Tani Kukësi kërkon patjetër fitoren ndaj të kuqve. Është drejtori i verilindorëve, Nderim Nexhipi, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” shprehet se e respekton në maksimum Partizanin, por Kukësi hyn në këtë ndeshje për të marrë maksimumin.

Sa i përket garës për titull, Nexhipi duket se përjashton Tiranën duke theksuar se Vllaznia, Teuta, Laçi e Partizani janë rivalët e tyre dhe janë në garën për titull. Në fund ai beson se me këtë ekip mjaft kualitativ që Kukësi ka ndërtuar, do të jetë kampion.

“Ka mbaruar faza e parë, ku ka pasur shumë ndeshje të forta e me kualitet. Edhe pse kemi arritur të mundim Vllazninë në Shkodër, shikoj që kuqeblutë janë pretendentë për titull. Natyrisht, duke parë që Vllaznia është në vend të parë, por nga ana tjetër janë në garë edhe ekipe si Teuta, Laçi e Partizani.

Të gjitha këto i shikoj si konkurrente për titull. Sezoni është i gjatë dhe duke parë ekipin tonë, shpresoj dhe besoj shumë që në fund të sezonit të arrijmë objektivat”./SHKODRA-SPORT.COM/