Engin Firat duket se nuk ka ndër mend që të kthehet më të kryejë rolin e tij te Vllaznia si drejtor teknik i kësaj skuadre.
Dy muajt e fundit ai ka qenë në detyrën e trajnerit të përkohshëm të Moldavisë dhe është kandidat kryesor për të vazhduar të ulet në stolin e saj edhe në vijim.
Por duket se ky nuk është opsioni i vetëm i tij për të ardhmen. Sipas informacioneve nga Turqia, Firat ka nisur paralelisht bisedimet me një tjetër përfaqësuese europiane.
Në mënyrë të papritur, ai rezulton se është tashmë edhe një prej kandidatëve më të mundshëm për të marrë drejtimin e përfaqësueses së Azerbajxhanit në Ligën e Kombeve dhe kualifikueset e Botërorit 2022.
Ndaj brenda muajt të ardhshëm, pritet që Firat të marrë drejtimin e njërës prej këtyre dy kombëtareve e do të mbyllë eksperiencën e tij në radhët e klubit shkodran, e cila zgjati pak më shumë se një vit, duke llogaritur se në këtë sezon të dytë ka qenë larg skuadrës. /vipsport/