Partizani e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën europiane, pasi të enjten e shkuar fitoi në shifrat 1-0 ndeshjen e parë të turit të parë të Ligës së Konferencës ndaj Saburtalos në Gjeorgji.

Ky sukses e ka shtuar oreksin dhe përgjegjësinë te “demat”, ku nuk lejohen gabime në takimin e kthimit që do të luhet më 14 korrik, ora 20:00, në stadiumin “Air Albania”.

Në lidhje me situatën aktuale në klub, punën që po bëhet për ndeshjen e kthimit me gjeorgjianët, objektivin kualifikim që nuk duhet vënë në dyshim, por edhe për të zgjidhur disa “ngërçe” të merkatos, sot pritet që drejtuesit e klubit të zhvillojnë një mbledhje së bashku.

Në këtë takim pritet të marrin pjesë të gjithë drejtuesit e lartë, presidenti Gaz Demi, drejtori i përgjithshëm Olsi Rama, drejtori sportiv Elton Marini, si dhe stafi teknik me në krye trajnerin Dritan Mehmeti.“Panorama Sport” mëson se pjesë e axhendës së “samitit” do të jetë edhe fati i brazilianit Viktor sa Silva.

Ish-sulmuesi i Vllaznisë ka kohë që përflitet si përforcim te kryeqytetasit, por zyrtarizimi nuk po kryhet.Gazeta mëson se shkak për moszyrtarizimin është bërë mosdakordësia në bordin e merkatos, pasi ka zëra kundër që i druhen formës fizike të lojtarit, që te shkodranët është lënduar disa herë.

Braziliani ndodhet në kryeqytet prej disa ditësh dhe mendohet që Partizani të marrë një vendim final.Gjithsesi, sot pritet që Da Silva të kryejë vizitat mjekësore te të kuqtë, duke i hapur rrugën zyrtarizimit, në mënyrë që të evitojnë edhe ndërhyrjet nga klubet e tjera, që po presin “pas dere” për ta bërë të tyrin 27-vjeçarin.

Gjatë mbledhjes pritet të diskutohet edhe për çështje të tjera që shqetësojnë klubin para ndeshjes së kthimit me Saburtalon, që mund të jetë përcaktuese edhe për vazhdimësinë, ku bëjnë pjesë lojtarë dhe staf teknik.Gjithsesi, në kampin e kuq nuk kanë arsye për të menduar më të keqen, por për t’i bërë parapritë.