Javën e kaluar, Horge Mesi u rikthye në Barcelonë. Udhëtimi i tij nga Argjentina drejt Barcelonës la të kuptohej se diçka do të ndodhte në lidhje me “Pleshtin”. Ai është menaxheri i kapitenit të Barcelonës dhe u mendua se presidenti Laporta do të bënte një ofertë për rinovimin e tij, por në të vërtetë, ky proces nuk është kaq i shpejtë. Në plan të parë, klubi i Barcelonës është duke pritur përfundimin e analizave dhe bilanceve për të kuptuar realisht se çfarë do t’i ofrojnë Leos në aspektin sportiv dhe në aspektin ekonomik.
Në anën tjetër, Leo Mesi ecën me këmbë në tokë dhe nuk ka asnjë arsye për të nxituar. Ai dëshiron që të përqendrohet vetëm në futbollin e luajtur. Pasi fitoi “Kupën e Mbretit”, Barcelona po kalon një ecuri pozitive dhe mund të fitojë edhe La Ligën. Do të jetë një sezon fantastik dhe historik duke parë mënyrën se si u nis gjithçka në muajin shtator. Mesi është i fiksuar në aspektin sportiv, përpara atij të kontratave. E di mirë që titulli fitohet duke mos gabuar dhe duke i fituar të gjitha ndeshjet. Pastaj, pas aspektit sportiv do të vijë edhe aspekti i kontratës.
DREKA – Futbollisti argjentinas është ulur me Laportën për një drekë, në të cilën presidenti i transmetoi dëshirën që Leo të qëndronte te Barcelona. Ai e dëgjoi, por i tha që ende nuk e ka vendosur përfundimisht se çfarë do të bëjë. E vërteta është që Laporta është njeri i besueshëm për Mesin, por ai është lodhur nga thashethemet dhe gënjeshtrat e shumta në vitet e fundit. Sigurisht që ai do të presë lëvizjet e Laportës për të vendosur. Dëshiron të marrë një vendim të pjekur dhe jo me premtime boshe. Do të kuptojë nëse është e vërtetë që Nejmar mund të rikthehet.
Laporta ka dëshirë ta bëjë realitet diçka të tillë, por është një operacion i komplikuar. PSG-ja dëshiron shumë para për ta lënë të lirë. Mesi, gjithashtu dëshiron të shikojë se çfarë do të ndodhë me Serxho Agueron. Barcelona është bërë gati për një ofertë formale në drejtim të lojtarit, por do të jetë e ulët dhe duhet parë nëse ai pranon. Leo thjesht po pret lëvizjet e Laportës në muajt e ardhshëm. Për momentin është i kënaqur dhe i fokusuar në fushën e lojës. Barcelona po ëndërron titullin kampion me Leon.