“Erdhi, pa dhe iku”, kështu mund të përkufizohet aventura e Dritan Dervishit te Partizani. Qëndroi më shumë se 2 javë në Shqipëri, arriti të afronte në skuadër Kallakun dhe Bitrin, por më pas zgjodhi të ndërpriste bashkëpunimin. Idetë e tij donte t’i shpaloste edhe në strukturat drejtuese, por mos përputhja e mendimeve me Olsi Ramën bëri që t’i jepte fund aventurës si drejtor sportiv.

Dervishi rikthehet sërish, por këtë radhë përmes rreshtave. Në një intervistë të dhënë enkas për Newsport.al ai ndalet fillimisht te zgjedhjet për presidentin e ardhshëm të FSHF-së duke theksuar punën e mrekullueshme të bërë nga kreu aktual Armand Duka. Më tej tregon se çfarë ndodhi te Partizani, pse u ndërpre në mënyrë të tillë bashkëpunimi, ndërsa në fund ka një mesazh për tifozët e kuq.


– Dritan, si e sheh situatën parazgjedhore në Shqipëri duke qenë se ishe në strukturat drejtuese të Partizanit?

Nga kandidatët që janë prezantuar deri tani për president të FSHF-së, nuk ka asnjë dyshim që Armando Duka mbetet njeriu i duhur për të vijuar projektet e zhvillimit të mëtejshëm të futbollit.


– Çfarë ka bërë sipas jush presidenti Duka?

Nuk dua të zgjatem shumë se çfarë ka bërë FSHF dhe presidenti Duka, por thjesht dua të theksoj faktin se jemi vend shumë i vogël dhe federatë pa ndonjë peshë specifike në UEFA. Megjithatë përfaqësohemi në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s nga presidenti i Federatës tonë dhe organizojmë një finale të një kompeticioni të rëndësishëm evropian.


– Veç lobimit dhe përfaqësimit dinjitoz në arenën europiane, një punë e madhe është bërë nga FSHF dhe në infrastrukturë…

E vërtëtë. Ka ndërtuar një impiant sportiv modern siç është “Air Albania”, stadiumi “Loro Boriçi” apo dhe “Elbasan Arena”, të cilat s’i gjen dhe në vende më të zhvilluara se i yni. Selia e FSHF-së nga një ngrehinë shkatarraqe…


– Nëse përmendni shtëpinë, unë s’do ta cilësoja arritje. Gjithëkush e do shtëpinë e vet moderne…

Sigurisht që po, por më parë ishte e vështirë të gjeje ndonjë zyrë të mobiluar dhe funksionale. Tani është kthyer në një shtëpi të vërtetë futbolli, ku ne profesionistët e kësaj fushe kemi gjetur gjithnjë përkrahje.


– A beson se politika do të ndikojë në zgjedhjet e FSHF-së?

Do ndihesha mjaft krenar që kjo politikë që kemi votuar të merret me problemet që kanë njerëzit në Tiranë dhe jo vetëm. S’duhet ndërhyrje në zgjedhjet e njerëzve që do na përfaqësojnë më së miri ne si komunitet futbolli.


– Flasim pak për ju. Pas largimit nga Shqipëria, çfarë po bën?

Siç dihet unë prej vitesh jam pjesë e klubit Hellas Verona.


– Erdhët me bujë te Partizani. Në fakt s’pati një prezantim siç i takon një drejtori sportiv para gazetarëve…

Te Partizani jam ftuar për të bërë punën si drejtor sportiv duke pasur parasysh dhe ecurinë jo të mirë të klubit gjatë kohëve të fundit.


– Por, çfarë ndodhi?

E pranova me shumë kënaqësi dhe pa u menduar asnjë minutë. Partizani mbetet për mua klubi më special në Shqipëri. Edhe pse kisha dijeni të përgjithshme për vështirësitë që më prisnin e lidheshin më së shumti me ekipin e ndërtuar në mënyrë të diskutueshme në fillim të këtij sezoni.


– Pra ju po thoni që pranuat të merrnit përsipër koston e një skuadre të keqndërtuar?

Plani ynë për të rregulluar situatën dhe për të arritur objektivin, Europë ishte i ndarë në 3 pika kryesore.


– Që janë?

Fillimisht duhet të krijonim ambientin që skuadra të kishte harmoni, lojtarët të çliroheshin nga presioni i tepërt. Së dyti, vendimet që do të merreshin do të ishin produkt i diskutimeve të përbashkëta mes stafit teknik dhe atij drejtues. Dhe, mundësisht të ishin unanimisht të dakordësuar nga këto hallka. Së treti të afronim në skuadër lojtarë që e njihnin kampionatin tonë. Kujtoj që erdhën Kallaku, Bitri dhe Skuka.

Me stafin teknik menduam afrimin e disa elementëve të tjerë mjaft cilësorë të cilët çdo klub elitar do të ishte me fat t’i afronte gjatë merkatos së dimrit, për nga vetë vështirësia që paraqet kjo periudhë në princip. Gjithashtu donim të punonim dhe me tifozët, për të shuar hendekun e krijuar mes tyre dhe drejtuesve. Historia ka treguar që me tifozët tanë në krah, asgjë s’do na ndalte në objektivin tonë të përbashkët.

– Cili ishte apo është objektivi i këtij Partizani?

Siç e thashë ishte Kupa dhe arritja në tre vendet e para.

– Pse u larguat nga Partizani?

Është shumë e thjeshtë për t’u shpjeguar.

– Por, shumë e vështirë për t’u thënë?!

(Qesh) Në fakt kisha papajtueshmëri thuajse në të gjitha drejtimet me drejtorin e përgjithshëm të Partizanit, Olsi Rama. Kryesorja ishte visioni në merkato, rregullat e brendshme në punë dhe ato që lidhen me organizimin e skuadrës dhe stafit.

– Pra, Olsi Rama ishte shkaku i largimit tuaj?

Nuk dua të zgjatem më shumë pasi respekti im për presidentin Gaz Demi dhe tifozët e kuq shkon më lart se interesi im personal.


– Ju po thoni që në Shqipëri erdhët për Partizanin dhe aspak për xhepin tuaj?

Mua m’u ofrua posti i drejtorit sportiv dhe duke qenë se Superiorja është një terren që e njoh mirë, mendova që të jap kontributin tim te Partizani.

– Çfarë ke për t’i thënë Partizanit dhe veçanërisht tifozëve të tij?

I uroj Partizanit dhe tifozëve të zjarrtë, që skuadra e tyre të kthehet në vendin që e meriton në elitën e Superligës. Si dhe të arrijnë objektivin e Europës përmes fitimit të Kupës. Ju gazetarëve ju uroj që të jeni gjithmonë të drejtë.

– Konkretisht, për kë e fjalën dhe pse nuk të dukemi të drejtë?

Duhet të jeni kritik për të mirën e këtij sporti të dashur dhe të mos influencoheni nga njerëz të tjerë.


– Gazetari është kontribues i rëndësishëm për zhvillimin e sportit në Shqipëri…

Po, por shpesh ka nga ata që e influencohen nga njerëz që e duan futbollin për interesa të ngushta personale. /Retin TOKA/