Kur mbërriti te Reali vite më parë, ishin të shumtë ata që e shihnin me mëdyshje brazilianin Kasemiro, por tani në të tridhjetat e tij, ai është një nga kolonat e “Los Blancos”. Ançeloti sikurse trajnerët e tjerë të Realit para tij e ka një pikë referimi brazilianin.

Jo më kot ai është një nga lojtarët më të aktivizuar me fanellën e Realit në këtë sezon. Ai mungoi në takimin e fundit në La Liga kundër Granadës si pasojë e problemeve gastrointestinale, por pritet të jetë rregullisht në fushë ndaj Vijarealit në fundjavë.

Braziliani ka dhënë një intervistë për revistën “Panenka” ku ka analizuar stilin e tij të lojës, aktualitetin te Reali, Lionel Mesin dhe shumë të tjera. NGA

SULMUES NË MESFUSHOR – “Ëndërroja të bëhesha sulmues si Ronaldo, Romario, Bebeto, por nuk ishte një fiksim. Fiksimi im ishte të luaja futboll, isha i çmendur pas topit. Mjaftonte të luaja, paçka nëse luaja portier, mbrojtës, mesfushor apo sulmues.

E kisha të lehtë të ndërroja pozicion, nuk kisha asnjë preferencë. Ndaj, nuk e pata aspak problem të ndërroja pozicion nga sulmues në mesfushor. Një nga cilësitë e mia është përshtatja e shpejtë në çdo rol”.

ASHPËRSIA – “Nuk më shqetëson fakti që më thonë se jam i ashpër. E kundërta është e vërtetë, më pëlqen loja e fortë. Shifrat më japin të drejtë, sepse jam ndëshkuar vetëm dy herë me karton të kuq.

Pastaj roli i një mesfushori me tipare mbrojtëse ky është, të prishësh lojën e kundërshtarit e për ta bërë këtë ndonjëherë duhet të jesh i ashpër, por kurrë nuk futem me idenë për të dëmtuar rivalin. Do të vazhdoj të bëj faulle pa fund, por pa shkelur asnjëherë parimet e mia”.

KROS E MODRIÇ – “Lidhja, mënyra se si kuptohemi në fushë mes nesh është diçka unike, është diçka që nuk mund të mësohet. Gjithçka vjen natyrshëm. Ata janë lojtarë të shkëlqyer.

Me ta nuk ka nevojë të flas në fushë, mjafton një shikim dhe e kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë. Pastaj miqësia jonë është e shkëlqyer edhe jashtë fushe. Të gjitha këto ndikojnë. Jemi miq dhe argëtohemi së bashku në fushë”.

CHAMPIONS TË FITUAR – “Kur je i angazhuar në fushë me përditshmërinë tënde, nuk e kupton madhështinë e trofeve të fituar, sepse mendon vetëm të vijosh të luash, të fitosh e të festosh. Vjen një moment kur nuk e kupton më rëndësinë, por tani nëse e kthej kokën pas e kuptoj se kemi bërë gjëra madhështore, kemi bërë histori”.

REALI I CR7 APO REALI I ZIDANIT – “Unë po them, Reali i tre titujve radhazi në Champions. Mbërritja e Zidanit ishte diçka e rëndësishme, por do të ofendoja shumë të tjerë nëse do ta lidhim historinë tonë vetëm me një individ”.

IDHULLI MESI – “Mesi është një idhull për mua. Largimi i tij ishte një humbje për të gjithë. Edhe sot që kanë kaluar disa muaj që nga largimi i tij, ai ndihet. Të gjithë e dimë se çfarë përfaqësonte ai jo vetëm për Barcelonën. Nëse e dashuron futbollin, simboli i tij është Mesi.

Nëse e dashuron futbollin, dashuron dhe Mesin. Largimi i tij ka krijuar një gropë te Barcelona dhe kjo duket qartë. Kjo e bën atë një ikonë të këtij klubi.

Për fat, do të përballemi sërish me të, do të vijë në ‘Bernabeu’, ndaj duhet të jemi të përgatitur. Për mua është e pamundur ta ndal i vetëm, ndaj shokët duhet të më ndihmojnë. Kundër PSG-së do të shohim një ndeshje të madhe”.

E ARDHMJA SI TRAJNER – “Çudia është se të gjithë miqtë e mi, e jo vetëm te Reali, më thonë se do të bëhem trajner. Ndoshta për mënyrën se si komunikoj, për staturën time si një tip hijerëndë. Por, personalisht nuk e kam menduar një gjë të tillë”.

MESI DHE RONALDO – “Është normale që largimi i tyre ka krijuar problematika, fillimisht te ne largimi i Ronaldos dhe tani i Mesit te Barcelona. Mesi dhe Ronaldo janë dy lojtarë që transformuan futbollin. Para tyre sulmuesit shënonin 20-25 gola në sezon, ndërsa ata arritën 50-60 gola në sezon, ndryshuan futbollin.”.