
Vllaznia ka bërë mirë në gjashtë javët e para të kampionatit ndonëse ka patur edhe ajo oshilacionet e veta në disa prej ndeshjeve të zhvilluara. Kjo është deklarata e bërë në konferencën e sotme për shtyp nga mbrojtësi I saj Dritan Smajli. Duke folur para gazetarëve, numri 2 I kuqebluve e ka vlerësuar si positive këtë ecuri teksa ka thënë: “Normalisht që duhet të jemi të kenaqur sepse ekipi ka reaguar në momentet më të vështira të tij. Mendoj që kemi reaguar mirë, sidomos dy ndeshjet e fundit duke marrë edhe rezultat, duke zhvilluar edhe lojë. Normalisht duhet të jemi të kënaqur sipas mendimit tim”. Smajli ka folur edhe për sfidën e ardhshme, atë që Vllaznisë do të luajë ndaj Tomorit javën tjetër teksa ka thënë se nuk ka asnjë ndeshje të lehtë por objektivi I skuadrës shkodrane është për të marrë maksimumin e pikëve dhe ka garantuar se do të jetë një ekip pretendent deri në fund. “Në Shqipëri nuk ka ndeshje të lehta. Ne do të shkojmë atje për të marrë rezultatin maksimal që do të jetë fitorja. Si çdo ndeshje tjetër, ne shkojmë për të marrë maksimumin që të vazhdojmë me këtë ritëm.
Normalisht, kemi hyrë si pretendente por jo me kusht që Vllaznia duhet të marrë titullin kampion. Unë nuk mendoj se skuadra është e ngarkuar psikologjikisht apo ka trysni nga jashtë që skuadra duhet të marrë titullin kampion. Ne duhet të vazhdojmë me këtë ritëm pastaj fundi i kampionatit do të flasë. Ne duhet të jemi me këmbë në tokë, nuk duhet të themi dalim kampion apo nuk dalim kampion. Ne duhet të jemi me këmbë në tokë, të vazhdojmë me këto rezultate, të vazhdojmë me këtë lojë dhe besoj që deri në fund do te jemi në rregull”. Vllaznia po e shfrytëzon këtë ndërprerje të kampionatit për të rikuperuar disa nga lojtarët e dëmtuar dhe për t’u bërë gati për ndeshjen e rradhës kur do të kërkohet fitorja e tretë rradhazi në kampionat.
www.shkodrasport.com