Pak ditë më parë ka qenë më i ashpër në deklaratat e tij. Natyrisht që mund të ketë qenë më i zemëruar në ato momente pas barazimit 0-0 të Vllaznisë në Kukës dhe për më tepër, pas lojës së dobët të zhvilluar nga skuadra shkodrane. Prandaj dhe në intervistën e tij ka qenë shumë i ashpër duke akuzuar madje edhe disa futbollistë të ardhur në merkaton e verës se e kishin marrë të lehtë luajtjen me këtë skuadër. Dje ndërkohë ka qenë më “i butë”. është munduar ta anashkalojë. Me logjikë dikush nga stafi i “ka tërhequr veshin” për atë deklaratë dhe ndonëse kjo mohohet nga vetë lojtari, sërish lë vend për këtë gjë. Në konferencën e shtypit, para gazetarëve, mbrojtësi lezhjan është treguar këtë herë më diplomat në deklaratë teksa ka thënë: “Atë ditë që unë kam dhënë intervistën për gazetën “Sporti Shqiptar” sigurisht që kam qenë shumë i nervozuar nga barazimi në Kukës dhe loja jo e mirë që zhvilluam. Jo më kot mund të kenë dalë edhe ato fjalë nga goja ime por kolegët e mi futbollistë të Vllaznisë besoj se më kanë mirëkuptuar me atë deklaratë sepse qëllimi im nuk ka qenë të hedh baltë mbi ndonjërin. Thjesht desha t’u bëj të ditur se të luash për Vllazninë nuk është aspak e lehtë madje është një përgjegjësi shumë e madhe. E them unë këtë sepse e njoh mirë tashmë këtë skuadër, këtë ambjent ngaqë është sezoni i pestë që luaj në Shkodër. Të njëjtën përgjegjësi duhet të ndjejmë të gjithë dhe prandaj mendoj se këta futbollistë, kanë aq përvojë dhe dëshirë për t’u rikthyer sa më shpejt në formën e tyre më të mirë për ta ndihmuar skuadrën për të arritur objektivat që ka”. Deklaratë kjo me të cilën i është sjellë rrotull asaj të pak ditëve më parë. Në fakt Smajli nuk është nga ato që tërhiqet nga ajo çfarë mendon. E ka thënë atë gjë ngaqë tashmë e ndjen veten si shkodranë. Këta të fundit thuajse mungojnë në skuadër. është Beqiri që ndonëse në rolin e kapitenit, për vetë natyrën e tij të qetë, nuk e ka zakon të ngrejë zërin, ndërsa Hajdari është i ri dhe zëri i tij nuk dëgjohet shumë. Të tjerët janë më tepër rezerva duke nisur nga Belisha, Semina, Shtubina, Kraja e ndonjë tjetër. Prandaj dhe një situatë e tillë e ka nxitur Smajlin “të shpërthejë”. Ai e ka të qartë se Vllaznia ka zhgënjyer në dy javët e para të kampionatit dhe këtë e ka thënë edhe në prononcimin e tij kur ka deklaruar: “Vetëm një pikë e marrë në dy ndeshje sigurisht që janë zhgënjim për mënyrën si u prit ky kampionat. Menduam se do bënim gjëra të mira por ardhja e shumë lojtarëve në merkaton e verës natyrisht që kërkon kohë për harmonizimin e tyre dhe nga kjo duhet të presim pak. Të gjithë duhet të jenë të bindur se Vllazninë e vërtetë ende nuk e kanë parë. Do bëjmë gjëra të mira në javët e ardhshme”. Javën e ardhshme shkodranët do presin Luftëtarin në Shkodër dhe kuptohet që objektivi është i njëjtë, vetëm fitore. Smajli megjithatë thotë se duhet bërë kujdes për këtë skuadër. “E kam ndjekur Luftëtarin në ndeshjen e fundit me Teutën. Kanë bërë një ndeshje shumë të mirë dhe sigurisht që ne nuk duhet ta marrim aspak të lehtë. Duhet ta studiojmë me kujdes lojën e këtij kundërshtari por kjo duhet të ndodhë deri në momentin kur do hyjmë në fushë sepse kur të fillojë ndeshje, do jetë tjetër histori. Vllaznia është e etur për të fituar dhe do bëjmë çmos për t’ia arritur paçka se e dimë që në rradhët e skuadrës gjirokastrite luajnë edhe katër futbollistë shkodranë”-thotë në fund mbrojtësi kuqeblu.
www.shkodrasport.com