Orges Shehi dëshiron edhe një lojtar. Në intervistën e tij në fund të ndeshjes me Dinamon, trajneri i Tiranës qartësoi pozicionin e dy afrikanëve, të Najdovskit dhe çfarë do të bëhet në vazhdim.

Shehi është i bindur që skuadra e tij është gati për kampionat, ndërsa thotë se për të problem janë tre lojtarët Seferi, Çelhaka dhe Ismajlgeci që në planet e tij janë shumë të rëndësishëm.

Luajtët ndaj një kundërshtari që është forcuar dhe ka pretendime madhore. Si ju duk ekipi?

Një ndeshje miqësore shërben për të parë gjendjen e skuadrës, akoma nuk jemi të plotësuar pasi presim edhe lojtarë që të na vijnë në gjendje të mirë.

Taulanti dje na u bashkua, Çelhaka është ndeshja e parë që luan në miqësore. Do të shoh edhe situatën e Ismajlgecit dhe besoj se skuadra më pas do të jetë e plotë. Dihet që kundërshtari ka cilësi dhe është një nga pretendentët në kampionat për mendimin tim.

Pati edhe momente nervozizmi, ku protagonist u bë Ngo nga ekipi juaj dhe Sofranak nga Dinamo…

Deri diku është derbi. Pavarësisht se është miqësore, por ndjenja e derbit është e pranishme dhe situata të tilla në derbi ndodhin.

Nëse do të flisnim me përqindje, sa gati është Tirana për kampionatin në këtë moment?

Mendoj që na mungojnë edhe pak ditë. Me rikthimin e tre lojtarëve që në kokën time janë pjesë shumë e rëndësishme dhe besoj se për shumë pak mund të jemi gati 100%.

Ka diçka që i mungon ekipit dhe nëse ndodh në vijim, do të ishte i kompletuar 100%?

Kam dëshirë që të kem edhe një përforcim, por në qoftë se nuk e arrijmë, besoj se jemi të kompletuar.

Cila është ndjesia që dy ish-kapitenë të Skënderbeut, si ju dhe Shkëmbi, për më tepër dikur te Partizani, sot drejtoni Tiranën dhe Dinamon?

Unë me Shkëmbin kam luajtur në shumë ekipe shqiptare dhe sigurisht kur vjen fundi i futbollit, ne dhe të gjithë shokët tanë marrin edhe poste të tilla. Sigurisht që është mirë kur ke përballë shokë. Kjo ka ndodhur edhe me brezat para nesh, tani besoj se është koha e brezit tonë. Ndjesia është e mirë, sepse unë drejtoj skuadrën më të titulluar në vend dhe jam shumë i kënaqur për këtë.

Si është situata me Najdovskin, do të qëndrojë apo do të largohet?

Najdovskin e patë që është këtu. Sot (dje) e filloi nga fundi, nesër (sot) sërish do të luajë, sepse kemi ndeshje me Erzenin dhe e kemi programuar që një grup do të luajë ndeshjen tjetër, kështu që ju e patë që është pjesë e skuadrës. Ishte në fushë, më tepër s’di çfarë të them.

Çfarë po bëhet me Danso dhe Giamfi, do të vijnë apo jo?

Ata janë lojtarë në kontratë me ne. Për çështje vizash nuk janë bashkuar, kështu që shpresoj të bashkohen sa më shpejt. Sigurisht që janë pak vonë, por janë pjesë e skuadrës sonë.