Ardian Mema ka qenë i mërzitur për barazimin e marrë në fund të takimit me Teutën. Trajneri i bardhebluve për “Panorama Sport” foli për sfidën e ditës së shtunë, teksa nuk harroi të kthehej pas në kohë për të kujtuar ditën që Tirana ra nga Kategoria Superiore.
Mema foli si fillim për sfidën me Teutën, ku tha se priste të fitonte dhe se Tiranës duhej t’i quhej i rregullt goli i Hoxhallarit, pasi topi sipas tij e kishte kaluar vijën, por gjyqtari nuk e bëri mirë punën e tij.
“Të them të vërtetën, ekipi ka luajtur nga minuta e parë deri në minutën e 90-të. Minutat e fundit kanë luajtur për ne. Në ekip ka lojtarë me mentalitet fituesi. Këta lojtarë e kanë këtë lloj egoje që ta fitojnë ndeshjen dhe të japin edhe impuls te shokët. Më vjen keq edhe për ato dy shtyllat. Njëra ka qenë gol. E pashë tani dhe m’u duk si gol.
Kam pasur edhe arbitrin e katërt afër. Nuk dua të fitoj me zor, shans, por me punë. Nëse ka qenë gol, do të më vijë shumë keq. Arbitri pas portës mund ta kishte zbuluar shumë mirë këtë gjë”, tha në fillim Mema.
Në fund, dy fjalë për Vllazninë. Tirana kthehet pas më shumë se dy sezonesh në vendin ku u firmos rënia në Kategorinë e Parë. E mbaj mend atë ditë, ishte e zezë. Nuk është faji i Shkodrës, ekipit të Vllaznisë. Faji është total dhe diku tjetër. Ne do të shkojmë në Shkodër, siç do të shkojmë në çdo qytet për ta fituar ndeshjen dhe me cilindo që do të luajmë”, mbylli Ardian Mema.