Thomas Strakosha duhet të shkojë drejt Superkupës së Italisë me ndërgjegjen e plotë se nuk ka më të mirë se ai në Serinë A për momentin. Të paktën kështu e mendojnë tifozët e kampionatit italian, të cilët e kanë zgjedhur si portierin më të mirë të javës së 16 në elitën e futbollit përtej Adriatikut.

Portieri do të jetë protagonist i ndeshjes në Arabinë Saudite ndaj Juventusit e ka treguar se është në një formë të shkëlqyer me pritjet e tij mbresëlënëse ndaj Kaljarit. Ndalimi që i bëri sidomos Naingolan në fundin e pjesës së parë duke mbajtur në lojë ekipin e tij,e  ktheu portierin shqiptar në një nga emrat më të lakuar, ndërsa i dha një dorë Lacios të fitonte e ta shihte veten shumë pranë skuadrave të kreut, Juventus e Inter.

Seria A, nëpërmjet një sondazhi të hapur në rrjetet sociale u kishte kërkuar tifozëve të votonin për portierin më të mirë të javës dhe sot bëri të ditur se gardiani shqiptar është emri i përzgjedhur si më i miri. Padyshim një shtysë më shumë për portierin shqiptar, i cili do të mundohet që të fitojë një tjetër SuperKupë me klubin e tij pas asaj të fituar në edicionin 2017-2018 po ndaj bardhezinjve. /vipsport/