Vllaznia do ketë një duel shumë të fortë sonte në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë do presin ekipin e Partizanit në një moment kur të dy skuadrat po kalojnë një fazë të mirë rezultatesh. Kjo formë e të dy ekipeve jep shpresë për një takim sa më të bukur që të kënaqë edhe tifozët që priten të shumtë në stadium.
Por ky nuk do jetë vetëm një duel mes dy skuadrave historike të futbollit tonë, por edhe një duel mes miqsh shumë të mirë. Tek Vllaznia dhe Partizani ka futbollistë që kanë një miqësi përtej sportit mes tyre dhe sonte në fushë do jenë përballë njëri-tjetrit.
Po flasim këtu për Esin Hakaj i cili si kundërshtarë direkt në këtë ndeshje do ketë Esat Malen. Një prej ish-shokëve të tij tek Partizani në sezonet e fundit. Si mëngjërashi shkodran ashtu edhe mesfushori nga Prizreni njihen për shoqërinë e tyre të ngushtë jashtë fushës së blertë.
Një tjetër duel “vëllezërish” do jetë edhe ai mes Erdenis Gurishtes dhe Herald Markut. Të dy protagonistë kryesorë të Vllaznisë së sezonit të shkuar. Po ashtu edhe kjo dyshe njihet për raportet e tyre shumë vëllazërore jashtë futbollit.
Një takim mes “miqsh të vjetër” mund të cilësohet ky sonte. Ku patjetër si dyshja e Vllaznisë ashtu edhe ajo e Partizanit për momentin do jenë rivalë në fushën e lojës dhe do mundohen të japin më të mirën për një fitore të ekipeve të tyre përkatëse.
Endri ÇINARI