✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Një nga duelet kryesore të javës së 12-të të Superiores do jetë edhe ai mes Partizanit dhe Vllaznisë, që do luhet të dielën në orën 16:30, në stadiumin “Arena e Demave”, në kryeqytet. Një takim që gjen skuadrat momentalisht në objektiva të kundërt, me Vllazninë që do të ruajë kryesimin e kampionatit e të kuqtë nga ana tjetër që duan largimin nga pozicionet e fundit të klasifikimit. Prandaj sfida pritet të jetë interesante dhe të prodhojë një futboll për t’u shijuar nga të gjithë.
Në prag të këtij takimi janë kuqeblutë të cilët shfaqen si fitues të dy ndeshjeve të fundit ndaj Partizanit. Me suksesin 4-1 të fazës së parë të këtij edicioni, e po ashtu me fitoren 2-0 në fazën e katërt të edicionit 2024-25, me shkodranët që merrnin pikët e plota falë golave të Grudes dhe Bajramit.
Megjithatë bilanci mes dy ekipeve është totalisht i barabartë në 10 duelet e fundit mes tyre në elitën e futbollit shqiptar, duke treguar se përballjet mes dy skuadrave kryesore të vendit tonë kanë qenë të ekuilibruara.
Kështu në 10 ndeshjet e fundit në Superiore, secila skuadër ka nga 3 fitore e ndërsa 4 duele mes tyre janë mbyllur në barazimi. Në këtë mënyrë Vllaznia përveç dy fitoreve të sipër përmendura, ka edhe një sukses 0-1 ndaj Partizanit, me një gol të Alivodes në fazën e parë të edicionit 2024-25. Teksa nga ana tjetër kryeqytetasit kanë fitore në shifrat 2-1 në fazën e katërt të edicionit 2022-23 përballë Vllaznisë, me golat e Rrapajt dhe Cares, teksa për kuqeblutë shënonte Balaj.
Po ashtu “demat” kanë fitore 4-1 ndaj Vllaznisë në sezonin 2023-24, në javën e 12-të të tijën e gjithashtu një sukses tjetër me rezultatin 2-0 në edicionin e shkuar 2024-25, në javën e 19-të tijën.
Gjatë kësaj periudhe janë edhe 4 barazime mes dy ekipeve, 2-2, 0-0, 1-1 dhe 0-0, duke treguar një barazpeshë në përballjet e 10 dueleve të fundit. Ku të dielën secila prej skuadrave do kërkojë të kalojë në “avantazh” ndaj njëra-tjetrës, duke synuar vetëm fitoren në raundin e 12-të Superiores për edicionin 2025-26.







