✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia tregoi edhe njëherë forcën e saj këtë kampionat, duke triumfuar me rezultatin 1-0 ndaj Dinamos. Duel që u zhvillua në kuadër të javës së 11-të të Superiores dhe që lejon shkodranët të kryesojnë në barazim pikësh me nga 23 të tilla së bashku me Elbasanin. Por, kuqeblutë kanë si avantazh golavarazhin dhe ndeshjet direkte ndaj verdhebluve, prandaj edhe qëndrojnë në krye të tabelës së klasifikimit.
Ajo çfarë ka bërë diferencën deri më tani në sezonin e 9 herë kampionëve të vendit tonë, janë pikërisht ndeshjet ndaj rivalëve direktë. Kështu Vllaznia në dy përballje deri më tani ndaj Egnatias, ka arritur një fitore 2-0 në fazën e parë e një barazim 2-2 në Rrogozhinë në javën e 10-të të fazës së dytë. Ndaj Dinamos, balanci është i barbartë mes dy skuadrave, me një fitore 3-1 të kryeqytetasve në fazën e parë të edicionit e tashmë një sukses 1-0 të kuqebluve në javën e 11-të të kampionatit.
Po ashtu Vllaznia ka fituar edhe ndaj Elbasanit këtë kampionat, në raundin e 6-të të tijin. Ku me rezultatin 1-0 ka triumfuar në Shkodër. Në këtë mënyrë në 5 duele me kundërshtarët direktë për titullin deri më tani, Vllaznia ka 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje.
Duke treguar kështu forcën dhe ambiciet e shkodranëve në këtë edicion, ku si synim absolut është rikthimi i titullit kampion në Shkodër. Edhe pse rëndomë thuhet se titulli fitohet në ndeshjet me ekipet e “vogla”, Vllaznia po arrin t’a bëjë diferencën edhe me rivalët kryesorë të këtij edicioni të Superiores.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







