✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI

Edhe njëherë tjetër gjatë këtij kampionati të sezonit 2025-26 u vërtetua se Vllaznia “vuan” për të marrë fitore në ndeshjet jashtë fushe. Kjo pasi shkodranët nuk arritën të “triumfonin” as në duelin e javës së 12-të në transfertën e Tiranës ndaj Partizanit. Me kuqeblutë që morën vetëm një pikë në barazimin 1-1 ndaj 17 herë kampionëve të Shqipërisë. Që teorikisht është një rezultat pozitiv pasi vjen në transfertë dhe kundër një ekipi që ka cilësi.

E po ashtu me të kuqtë që po ashtu ishin më dominues në 90 minutat e zhvilluara në “Arena e Demave”, e në këtë mënyrë pika e marrë në transfertë është pozitive. Por, në totalin e gjitha transfertave këtë edicion të Superiores, Vllaznia ka vetëm një fitore në 6 ndeshje. Kjo ka ardhur në javën e 7-të ndaj Bylisit me rezultatin 0-1, ku gjithçka u vendos nga një autogol i mallakastriotëve në atë duel.

Por, në duelet e tjera jashtë Shkodrës, Vllaznia ka marrë dy humbje në shifrat 3-1 ndaj Dinamos dhe 1-0 ndaj Flamurtarit. Teksa përpos barazimit të fundit 1-1 ndaj Partizanit, kuqeblutë kanë marrë edhe dy barazime të tjera, në sfidat ndaj Teutës në Durrës me rezultatin 1-1 dhe ndaj Egnatias në Rrogozhinë me shifrat 2-2. Në këtë mënyrë, Vllaznia në 6 ndeshje të zhvilluara larg Shkodrës, ka marrë vetëm 6 pikë. Duke shënuar kështu 6 gola e duke pësuar 8 të tillë e duke treguar kështu një pikë të dobët në ndeshjet jashtë fushe.

Më dobët se 9 herë kampionët e vendit në ndeshjet jashtë fushe kanë bërë vetëm skuadrat që po luftojnë për mbijetesën këtë sezon. Ku skuadra si Tirana dhe Bylis që kanë grumbulluar 5 pikë, e Flamurtari me 4 pikë të marra jashtë fushës janë më dobët se shkodranët përsa i përket kësaj statistike. Me kuqeblutë që tregojnë dy fytyra, ku në ndeshjet shtëpiake njohin vetëm fitore e teksa në duelet jashtë Shkodrës ka “deficite” për një skuadër që pretendon fitimin e titullit kampion këtë edicion.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”