Arbitrat protagonistë dhe Duka futet për “t’u tërhequr veshin”. Dje në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, në seminarin e përmuajshëm të arbitrave ka qenë edhe presidenti i institucionit të futbollit në vend.

Këtë herë, risia për arbitrat shqiptarë është se kritikat vijnë drejtpërdrejt nga UEFA, pra nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të saj. Për të parën herë, që nga java e parë e këtij sezoni, presidenti i FSHF-së,

Armand Duka futet në mbledhjen e sektorit të arbitrimit për të kritikuar ashpër zallamahinë e krijuar nga “xhaketat e zeza”, mbi të gjitha në dy ndeshje: Kukësi-Laçi me kryesor Klajdi Kolën, si dhe Burreli-Besëlidhja me kryesor arbitrin me stemën e FIFA-s, Juxhin Xhaja.

KRITIKAT

Kritika të ashpra për sektorin e arbitrimit nga numri një i qeverisë së futbollit në vend. “Panorama Sport” mëson se Duka nuk ka kursyer askënd, që nga disenjatori Sokol Jareci, kryetarin e Komisionit të Vlerësimit, Bujar Pregja, arbitrat me stemën e FIFA-s, Xhaja dhe Hamiti, apo edhe kryesorin Klajdi Kola.

Duke u ndalur te gabimet që kanë pasur peshë në zhurmën mediatike të krijuar, Duka ka ngritur zërin duke u dhënë ultimatum arbitrave për të shmangur episode të tilla flagrante. “Nuk dua të shoh më arbitrime si ai në Kukësi-Laçi, nga Kola.

Nëse vazhdohen gabime të tilla, më mirë tërhiquni nga arbitrimi pa pritur që t’ju njoftojmë ne”, mësohet të kenë qenë dy nga frazat e drejtpërdrejta të ultimatumit të Dukës. Jo vetëm kaq, por kreu i FSHF-së është ndalur edhe te rastet flagrante të gabimeve që janë bërë nga kryesorët me stemën e FIFA-s.

Një ndër to ka qenë rasti i Juxhin Xhajës, në sfidën e Kategorisë së Parë. “Kur dërgojmë gjyqtarë me stemë në ndeshje të tilla, e bëjmë që të menaxhohen mirë ndeshjet delikate, jo të ketë arbitrime si ai i Xhajës”, mësohet të ketë qenë fraza referuar gabimeve në Kategorinë e Parë. Kritika ka pasur edhe për arbitrin Hamiti, për rastin e penalltisë së dhënë për Bylisin në takimin ndaj Skënderbeut.

SEKTORI

Krahas kritikave për arbitrat, Duka ka bërë mbledhje edhe me sektorin që drejton gjykimin. Megjithatë, kreu i FSHF-së nuk e ka kursyer Pregjën as në sy të arbitrave. “Pse rri kot”, ka qenë një ndër frazat drejtuar kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të arbitrave në sy të këtyre të fundit.

Jo vetëm kaq, por kritika ka pasur edhe për drejtuesit e kolegjiumeve të rretheve për mënyrën e organizimit, si dhe për çfarë po ndodh nga arbitrat respektivë. Megjithatë, Duka ka bërë edhe një mbledhje të veçantë me drejtuesit e sektorit të arbitrimit, ku nuk kanë munguar as aty kritikat.