Për herë të parë në ndeshjen e sotme të Kupës ndaj Elbasanit, trajneri Brdariç i ka vendosur të dy në vijën e parë të sulmit dhe kjo dyshe që ka luajtur sëbashku për 45 minuta, duhet thënë se ka funksionuar.

E kemi fjalën për Haris Dilaver dhe Ismael Dunga. Të dy ata kanë shënuar në këtë pjesë të parë duke treguar edhe njëherë tjetër se sulmi kuqeblu po funksionon.

Por nëse për Dilaver gjetja e golit nuk është ndonjë risi, ajo që kënaq stafin teknik dhe tifozët padyshim është goli për sulmuesin kenian. Ish- sulmuesi i Luftëtarit dhe Tiranës, ndonëse e ka nisur sezonin me Vllazninë si rezervë, sërish po shënon.

E ka provuar në kampionat kur shënoi golin e dytë në fitoren ndaj Apolonisë dhe e provoi edhe sot në Kupë ndaj Elbasanit kur shënoi golin e tretë, madje pati mundësi të shënonte edhe më shumë.

Megjithatë Dunga i cili është lënë në fushë për 90 minuta, ka qenë edhe njeriu- asist sepse në disa raste ka ndihmuar lojtarët e tjerë të skuadrës shkodrane siç ishte goli i Victor da Silvës, ai i teti.

Forma e 27 vjeçarit duket e mirë dhe padyshim që ky është një lajm i mirë për stafin teknik sepse ka një alternativë më shumë në dispozicion për sulmin dhe një garanci për të ardhmen./SHKODRA-SPORT.COM/