Laçi do të luajë nesër sfidën e javës së 30-të të Superligës ndaj Kukësit. Ky takim do të luhet në stadiumin e ri “Kukës Arena” që do të inagurohet këtë fundjavë dhe do të nisë në orën 20:00. Ditën e sotme në një prononcim për mediat, trajneri i Laçit, Shpëtim Duro ka analizuar këtë ndeshje, ndërsa ka theksuar se është kënaqësi që do të luajnë në një stadium të ri.
Tekniku i skuadrës është shprehur se i ka ngelur pishman largimi nga Laçi në fillim të sezonit pas nëse do të ishte që nga fillimi i sezonit do të luftonin për titull.
“Të gjitha ndeshjet janë të vështira në këto momente, Kukësi është te pjesa e sipërme e klasifikimit dhe ka entuziazëm pasi për herë të parë pas shumë kohësh luhet në Kukës. Edhe për ne është kënaqësi se inagurohet një stadium modern, është ndeshje e vështirë por është pozitive të luajmë në atë ambient dhe stadium. Por, loja është diçka tjetër nga festa e stadiumit”.
Vendi i dytë- “Lufta është e hapur deri në fund, do të shikojmë javë pas jave. Pas ndeshjes me Kukësin do të shikohet rezultati, por lufta për vendin e dytë do të vazhdojë deri në fund. Kupa është një arritje e madhe dhe kemi shkuar në finale, por duhet të përqëndrohemi te kampionati. E rëndësishme është të arrijmë objektivin nga kampionati, që edhe në Kupë të jemi të qetë”.
Nëse nuk do të ishe larguar në fillimin e sezonit- “E kam thënë se Laçi do të ishte për titull kur u largova, nuk e imagjinoja të kisha diferencë me Tiranën, nuk ka diferenca për organikën. Më ka ngelur pishman se do të ishim si në sezonin e kaluar, por edhe më mirë. Por jemi mirë nëse arrijmë vendin e dytë, do të ishte e rëndësishme dhe pozitive.
Sezoni i kaluar ishte rezultat historik, hera e parë që luftonte për titull dhe skuadra më e mirë shqiptare në kompeticionet europiane. Është vlerësim nga drejtuesit rikthimi im, do të ishte shumë pozitive që bashkëpunimi të mos ndërpritej në këtë sezon, tani jemi përqëndruar te fundi i këtij sezoni”, u shpreh Duro.