Laçi mori tre pikë shumë të rëndësishme në ndeshjen e sotme ndaj Skënderbeun, pikë që i lejojnë ekipit të marrë kryesimin e klasifikimit. Pas ndeshjes, trajneri Shpëtim Duro theksoi se ndeshjen në Korçë e kishte frikë, ndërsa shtoi se nëse ai do të ishte 1 pikë para siç ishte Vllaznia dhe më pas të humbiste distancën, atëherë do ta kishte dorëzuar skuadrën.
“Këtë ndeshje, sidomos në Korçë e kisha frikë, por në këto ndeshje kur shënohet goli bëhen më të thjeshta. Por, skuadra ishte e angazhuar dhe shumë serioze gjatë gjithë ndeshjes. Këto janë ndeshje të vështira për t’u interpretuar dhe kjo e rrit shkallën e vështirësisë, e patëm barazimin me Apoloninë, edhe pse ishte aksidental. U thashë çunave që edhe pse barazuam, ekipi luajti shkëlqyeshëm e ashtu vijnë rezultatet, është e vërtetë që kam thënë 99% Vllaznia kampion, e thoja me bindje se po të isha 14 pikë, sot do e dorëzoja ekipin vetë. Nuk e besoja se do të ndodhte, ndaj thashë për Vllazniën kampione.
Ndeshja me Partizanin është tjetër, interpretim tjetër, seriozitet tjetër. Kupa apo kampionati? Të dyja, nuk do tolerojmë, kampionati ka kohë, se ka edhe 12 ndeshje. Nuk ka lidhje fare me kampionatin.
Kur je në vend të parë, kur ke dominuar me të gjithë ekipet kryesuese, pse të mos e pranojmë se kemi bërë ndeshje të bukura, por të jemi të kujdesshëm se kampionati është i vështirë deri në fund, por jemi në luftë katër skuadra”, u shpreh Duro. /VipSport/