Pasditen e djeshme në Shkodër është festuar një tjetër titull kampion, ai i hendbollit të Vllaznisë. Kuqeblutë kanë mundur Elbasanin edhe në finalen e dytë dhe i janë gëzuar trofeut pas 13 vitesh mungesë.

Një gëzim i ligjshëm mbi të gjithë për njeriun që ka punuar dhe sakrifikuar më shumë se kushdo tjetër për këtë titull kampion, trajnerin Artan Durro. Ai është parë i emocionuar pas përfundimit të takimit dhe në një prononcim për “Shkodra Sport” gjen rastin t’i falenderoj të gjithë ata që kontribuan për ktë sukses.

“U bënë shumë vite që ishim pozicionuar në vendin e dytë, gjithmonë nënkampion, por më në fund ia dolëm. Kjo falë sakrificës së madhe sportistët e mi të mrekullueshëm të cilëve unë u them “djemtë e mi”. Jam shume i lumtur qe e solla Vllaznine deri ketu, e shpalla serish kampione te Shqiperise.

Elbasani kishte vite që dominonte në hendbollin shqiptar dhe kjo për shumë arsye, duke përfshirë këtu edhe arbitrimet e njëanshme ngaqë ka patur gjithmonë mbështetjen e Federatës, por më në fund ia dolëm ta thyejmë, pavarësisht se sërish u ndeshëm me një problematikë tjetër.

Elbasani vetëm një javë para ndeshjeve finale federoi në mënyrë të parregullt dy lojtarë shqiptaro- maqedonas. Diçka absurde sepse një lojtar nuk mund të jetë i federuar njëkohësisht në dy ekipe, por Federata jonë e lejoi këtë gjë për të favorizuar këtë ekip ashtu siç ka bërë edhe herë të tjera.

Dua të falenderoj të gjithë sportistët, dy ndihmësit e mi Arian Ibërshimi e Vili Haxhia por edhe shokët e mi ndër vite të hendbollit që kontribuojnë për këtë ekip Nikolin Karroca, Darian Hasanaj, Ritvan Dibra, që janë dhe donatorë të ekipit duke e mbështetur atë nga ana financiare.

Nuk mund të lë pa përmendur edhe sportdashësit e mrekullueshëm shkodranë që po vazhdojnë të rriten çdo ditë e më shumë dhe mbështetja për ekipin e hendbollit të Vllaznisë”- thotë trajneri Durro.

Vllaznia shpallet kampione pas plot 13 vitesh megjithatë trofetë kësaj skuadre nuk i kanë munguar në fakt. I djeshmi ka qenë i treti që ajo fiton këto 5 vitet e fundit që skuadra drejtohet nga trajneri Durro.

Këtë gjë e bën të ditur vetë ai kur shton: “Në 5 vite që drejtoj këtë ekip, kam fituar 3 trofe dhe padyshim që ky i fundit- titulli kampion, ka qenë “qershia mbi tortë” për mua. Një gëzim i jashtëzakonshëm për mua, një sadisfaksion për gjithë sakrificat që kam bërë gjatë këture viteve”.

Po cila është dëshira për të ardhmen e këtij trajneri? Durro përgjigjet: “Kam dëshirë që të shtoj numrin e të rinjve që të merren me hendboll, nuk përtoj të punoj me to, edhe pa lekë, vetëm të shohë palestrën e mbushur me të rinj dhe kjo do më bënte të ndihesha mirë. Nëse do të ndodhte kështu, atëherë edhe sukseset e Vllaznisë nuk do të ndaleshin këtu”.
© shkodrasport.com