Krahu i djathtë i mbrojtjes te Laçi është kthyer në “mallkim” këtë sezon. Albion Marku u dëmtua në momentin më të mirë dhe mungon prej dy ndeshjesh. Mirëpo, e njëjta gjë ndodhi edhe në sfidën e fundit ndaj Teutës me Dorian Kërçikun, i cili la fushën që në pjesën e parë.
Në seancën e djeshme, të zhvilluar në kompleksin e Kamzës, të dy lojtarët kanë zbritur në fushë, por prezenca e tyre të shtunën ndaj Vllaznisë mbetet për t’u parë. Më tepër shanse rikthimi ka Marku, por çdo gjë do të konfirmohet në ditët në vijim.
Ndërkohë, dje u pa i fashuar gjatë stërvitjes edhe sulmuesi Kirian Nuabueze. Megjithatë, nga kampi kurbinas nuk konfirmojnë ndonjë dëmtim serioz të kryegolashënuesit.
Laçi do të kërkojë kthesën të shtunën ndaj Vllaznisë, një ndeshje që e luan në shtëpi kundër kryesuesve. Trajneri Shpëtim Duro është fokusuar tek ana taktike dhe mënyra se si do të luajë skuadra të shtunën.