Mirel Josa patjetër që është një nga emrat emblemë të futbollit tonë. Jo vetëm si futbollist, ku ka bërë epokë në vitet 80 me ekipin e Tiranës duke spikatur si mesfushor, por edhe si trajner. Kryeqytetasi tashmë për herë të parë në karrierën e tij si trajner drejton ekipin e Laçit, skuadër me të cilën do përballet me Vllazninë ditën e nesërme.
58-vjeçari ka një karrierë të pasur si trajner. Në periudha të ndryshme ka drejtuar Tiranën, po ashtu Skënderbeun me të cilin arriti suksese të mëdha e po ashtu skuadra si Kukësi, Shkumbini, Lushnja, Elbasani apo edhe Teuta në vendin tonë e po ashtu Prishtinën në Kosovë. Por për tifozët shkodranë do mbahet mend për periudhën kur ka qenë në krye të Vllaznisë.
Josa ka drejtuar në dy periudha kuqeblutë. Për herë të parë në vitet 2006-2008 e po ashtu një rikthim i tiji në sezonin 2010-11. Në të dy periudhat ai ka njohur suksese me shkodranët duke qenë në vendet e para të renditjes, pavarësisht se nuk arriti të fitonte trofe. Peng të cilin e ka theksuar shpesh edhe Josa në intervistat e tija për periudhën tek Vllaznia.
Trajneri kryeqytetas është shumë i respektuar në qytetin e Shkodrës për kontributin që ka dhënë tek Vllaznia. Për të do jetë një rikthim në Shkodër si kundërshtarë për të shumtën herë, por për herë të parë si trajner i Laçit. Patjetër që trajneri kryeqytetas do ketë mikëpritjen e duhur nga tifozeria shkodrane, ashtu siç e ka pasur çdo herë kur ka vizituar Shkodrën.
Endri ÇINARI