Vllaznia nuk po kalon një moment të mirë. Shkodranët kanë pësuar dy humbje radhazi ndaj Tiranës dhe Kukësit, ndërsa pozitat e trajnerit Brdaric kishin nisur të lëkundeshin.
Presidenti i Vllaznisë ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e trajnerit gjerman, ndërsa e ka konfirmuar një gjë të tillë në një prononcim për “RTSH”. Numri një i skuadrës shkodrane është shprehur se janë të zhgënjyer nga këto dy humbje, por nuk shikon asnjë aryse për të ndryshuar trajnerin.
“Natyrisht që jemi të zhgënjyer nga këto dy humbje të njëpasnjëshme, dhe kjo është bërë pjesë e një analize të hollësishme me stafin, që vazhdon, por, nga ana tjetër, kampionati është i gjatë,dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë për të arritur objektivat tona.
Për më tepër, jemi ende në fillim të këtij sezoni dhe puna vazhdon, prandaj nuk shoh asnjë arsye për ndryshime. Aq më pak të jetë diskutuar për ndryshim trajneri, prandaj nuk e kuptoj se nga dalin të tilla spekulime.
Ne vazhdojmë punën, por natyrisht duke synuar të përmirësojmë ato gjëra që mund t’i bëjmë më mirë, për të marrë rezultate më të mira”, u shpreh Xhaferi./newsport/