Kombëtarja e Shqipërisë ishte solide dje në fushë ndaj Serbisë. Të drejtuar nga Silvinjo ia dolën që të triumfojnë ndaj Serbisë me rezultatin 0-1 në transfertë.

Nga formacioni që Silvinjo hodhi në fushë, dy lojtarë ishin produkte të Superiores. Myrto Uzuni dhe Juljan Shehu. Dhe pse prej kohësh japin kontributin jashtë Shqipërisë, promovimi i tyre vinte pikërisht nga elita e futbollit shqiptar.

Uzuni e niste me Tomorin, për të luajtur më pas me Apoloninë dhe Laçin. Në anën tjetër ndodhet Shehu, i cili nga moshat e Partizanit dhe Internacionalit, pasi luajti për pak kohë në Greqi, u rikthye për të spikatur me Kastriotin dhe Laçin.

Dje përballuan emocionet e ndeshjes historike në Leskovac. Bashkë me pjesën tjetër bënë mjaft mirë në fushë.

Mirlind Daku, i cili ka luajtur si i huazuar te Kukësi u aktivizua nga stol. Dy futbollistë të Kombëtares që luajnë në Superiore dhe ndodheshin në stol janë Mario Dajsinani i Egnatias dhe Nasër Aliji te Dinamo.