UEFA zhvilloi ditën e djeshme një video konferencë me 55 sekretarët e përgjithshëm të Federatave anëtare ku ndër të tjera u vendos që futbolli i luajtur të fillojë në qershor. Një lajm që i ka befasuar të gjithë, duke përfshirë edhe vetë “aktorët”, lojtarët.

Qeveria ka deklaruar se nuk do të ndihmojë sportin, veçanërisht futbollin. Kësisoj gjitha klubet e Superiores dhe kategorive inferiore futen në kaos. Shumë futbollistë të huaj nuk do të kenë mundësi të përballojnë jetesën në vendin tonë.

Dy muaj pa futboll, përkthehet ndryshe dy muaj pa rroga. Të akomoduar me familjet e tyre, për ta do të bëhet një mision i veshtirë qëndrimi në shtëpi pa të ardhura. Në kontratat e tyre një gjë e tillë asesi s’ka qenë parashikuar.

Në njërën anë drejtuesit ngrejnë supet pasi shumica prej bizneseve të tyre janë mbyllur deri në qetësimin e situatës prej virusit “Covid 19”, nga ana tjetër janë lojtarët që kanë të drejtë për minimumin jetik.

Çdo të ndodhë me futbollistet e huaj në vendin tonë? A do të vijojnë të qëndrojnë me kursimet e tyre apo do t’u duhet të marrin valixhet?