Partizani është gati të debutojë në UEFA Champions League. Kampionët e Shqipërisë do të zbresin mbrëmjen e sotme në fushën e blertë ndaj Qarabak, takim i vlefshëm për raundin e parë kualifikues të kompeticionit më të rëndësishëm të Kontinentit.
Optimismi në kampin e kuq është i madh, edhe pse përballë do të kenë një kundërshtar me mjaft traditë në kompeticionet Europiane, ku shpesh ka qënë edhe pjesë e grupeve të tyre. Gjithsesi, tekniku Franco Lerda pohoi dje në konferencën për shtyp se e ka studiuar kundërshtarin dhe se ka arritur të krijojë edhe një formacion të kuq në kokën e tij.
E duke pasur parasysh gjendjen e treguar gjatë fazës përgatitore dhe skemave të përdorura nga italiani në stërvitje, Partizani mund të rreshtohet në një 4-3-3, skemë mjaft e pëlqyer nga Lerda. Porta është “pronë” e Alban Hoxhës, teksa para tij pritet të vendosen Ibrahimi, Bitri dhe Belica.
Dilema në krahun e majtë, me Hakaj që duket më i avantazhuar nga Trashi për ta nisur si titullar. Mesfusha me 3 pritet të përbëhet nga Mala-Telushi dhe Melo, që do të tentojnë të prishin dhe të ndërtojnë aksione për Asanin, Mensah dhe Çinarin, që do të ketë rolin më të vështirë, të gjej fundin e rrjetës.
Takimi luhet në “Selman Stërmasi” duke nisur nga ora 17:30.