Të gjithë e kanë vënë re gjatë ndeshjeve të ndryshme të kampionatit shqiptar, kur një skuadër që dëshiron të vonojë lojën apo të ndalë ndonjë aksion të rrezikshëm të kundërshtarit, ka dy topa në fushë. Janë tifozët, apo edhe pjesëtarët e kësaj skuadre që e bëjnë këtë veprim, që sjell nervozizëm te kundërshtari.
Me sa duket, qenka një veprim i kopjuar, sepse ndodh edhe në kampionate të tjera, madje edhe në Serinë A dhe për një skuadër të madhe si Interi. Ishin momentet e fundit të ndeshjes së çmendur me Empolin, ku çdo aksion mund të ishte gol. Në një nga sulmet e Empolit, dikush nga stoli i Interit hodhi një top në fushë me qëllimin për të ndaluar lojën.
Arbitri Banti bëri sikur nuk e pa topin e dytë në fushë dhe aksioni vazhdoi, topi qëndroi pak në fushë, derisa një nga lojtarët e Empolit e nxori jashtë vijave. Ky veprim e nervozoi jo pak trajnerin e Emplolit, Aurelio Andreacoli, i cili u kap me arbitrin e 4-t. Për këtë episod ai foli edhe në konferencë shtypi: “Nuk e pashë kush e hodhi topin, më thanë që ishte Galiardini, i cili është një lojtar i kombëtares italiane. Nëse kjo është sjellja e një ekipi të madh, e pranoj, edhe pse në fushë nuk bëra, sepse është kundër asaj që u mësoj lojtarëve të mi”.
I akuzuari Galiardini ka reaguar me një postim në Instagram, ku shkruante: “Më vjen keq për fjalët që dëgjova dhe atë që shkruhet se e ka thënë trajneri Andreacoli, të cilin dua ta komplimentoj dhe t’i uroj suksese në të ardhmen. Por akuza ndaj meje është false. Nuk do t’ia lejoja vetes atë veprim si futbollist dhe si njeri, në respekt të Interit, Empolit dhe një ndeshjeje futbolli”. Nuk ishte Galiardini, por kush ta ketë hedhur atë top? / Vipsport/