Vllaznia nxorri në fushë në ndeshjen e djeshme kundër Pogradecit të fituar në shifrat 6-1, një formacion të miksuar mes titullarëve dhe disa prej lojtarëve të stolit. Ajo që ra në sy është se Zinedin Mustedanagic u konfirmua si njeriu i kupës për kuqeblutë.
Mesfushori boshnjak realizoi golin e parë të ndeshjes kundër pogradecarëve, duke qenë i treti për të në këtë kompeticion. 23-vjeçari ka treguar se ka një marrëdhënie shumë të mirë me golin dhe sa herë zbret në fushë është një rrezik për kundërshtarët. Madje ai ka gjetur edhe golin në Superligë kundër Dinamos.
Por edhe Ante Aralica, sulmuesi kroat tregoi një formë të mirë kundër Pogradecit. Ai gjeti dy herë rrugën e rrjetës duke shënuar edhe ai tre gola në kupën e Shqipërisë.
Po ashtu me 3 golat në kampionat, shtatlarti është futbollisti që ka shënuar më shumë tek Vllaznia deri në këtë moment të sezonit.
Dyshja ballkanase e kuqebluve duket se do japin garanci për golat edhe në ndeshjet e ardhshme në kampionat. Tifozët shkodranë shpresojnë tek ecuria e mirë e tyre në mënyrë që edhe Vllaznia të rikthehet tek rezultatet pozitive shumë shpejt.
Endri ÇINARI