Vllaznia nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 sot ndaj Egnatias në transfertë. Skuadra shkodrane pas dy humbjeve radhazi, nuk arriti të reagonte dhe ngeci në “Arena Egnatia”. I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive”, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi komentoi momentin negativ që po kalon skuadra.

Çfarë po ndodh me Vllazninë? “Tani ky kampionat është i fortë dhe asnjë skuadër nuk nënvlerësuar pasi çdo ekip po tregon që di të luajë futboll. Te Vllaznia është një proces që ka filluar me një objektiv dhe tani nuk jemi të kënaqur me rezultatet e fundit. Do të ketë diskutime si një familje, por është fillimi i kampionatit dhe nuk duhet të nxjerrim ide që ka probleme te Vllaznia.

Diferenca nuk është shumë e madhe dhe Tirana kryeson. Kemi bërë disa analiza të brendshme, por mendoj se Vllaznia do të ketë kohën e duhur dhe do të rikthehet te rezultatet pozitive për të arritur te objektivi jonë”.

Cila ndeshje të ka ngelur peng? “Secila ndeshja ka veçori të veçantë. Te ndeshja e Kukësit kishim 20 minuta të mira ku nuk munguan rastet, por golat. Ndeshja me Tiranën është një peng për ne pasi dihet rivaliteti që kemi me ta. Nuk jemi në pritshmërit që kemi. Unë nuk jam i kënaqur, por lojtarët janë përpjekur për të bërë maksimumin. Kemi kohën e duhur që Vllaznia të rikthehet te fitoret dhe jam optimist për këtë gjë”.

Deklaratat e trajnerit pas ndeshjes për mungesën e fushës stërvitore? “Në Shkodër ka probleme për fushën stërvitore. Këtë vit Federata dhe Bashkia Shkodër po rregullojnë fushën e Reshit Rusit. Jam dakort me trajnerit Brdaric për këtë gjë. Po përgatisim një kompleks që shumë shpejtë do të jetë një ëndërr e bërë realitet.

Në prizmin e dytë të deklaratës së trajnerit, ai është pjesë e jona dhe nuk duhet të bëjmë deklarata sikur jemi për t’u antarësuar në Bashkimin Europian. Përderisa është pjesë e jona e di fushën stërvitore pasi ka këtu prej një vit e gjysmë. Ne këta jemi dhe po mundohemi të bëjmë maksimumin”.

Reagimi i Latifit? “Latifi është një lojtar i rëndësishëm dhe një nga më të mirët në kampionatit shqiptar. Ai ka një ego të brendshme për të fituar ndeshjen siç ka edhe klubi. Ishte një reagim i nxitur dhe mendoj se ai e ka kuptuar që ishte veprim i nxitur. Unë do t’ia lë egos këtë gjë dhe ta kthej në ambicie.

Mendoj se Latifi është një lojtar shembull dhe me shumë disiplinë. Është një pjesë e rëndësishme e jona dhe do të ngrihet nga ndeshja në ndeshje. Nuk është qëllimi ta ndëshkojmë, kemi bërë një takim me Latifin, trajnerin dhe lojtarët. Nuk është qëllimi të gjobisim lojtarët pasi duam t’i marrim maksimumin lojtarëve”.

Rrezikon stafi? “Tifozët kanë të drejtë të na kritikojnë, por nuk kanë të drejtë që të thonë gjëra që nuk janë të drejta. Janë pjesë e rëndësishme e jona, trajneri nuk është fare në diskutim. Skuadra ka potencial për t’u rritur, por kemi probleme dhe duhen bërë analiza të brendshme. I kërkoj tifozëve që të kenë durim pasi çdo skuadër ka momente të mira dhe jo të mira”.

Harmonia në skuadër? “Kam folur me lojtarët hapur dhe ata janë të etur për të fituar. Pritshmëritë këtë sezon janë rritur dhe skuadra është në presion për rezultatet pozitive. Rezultatet mund të rregullojnë situatën”.

Jeni në dijeni për pakënaqësitë e trajnerit? “Kam folur disa herë me trajnerin që kërkon fushë më të mirë për t’u stërvitur. Rezultatet janë një kosto për trajnerin dhe për ne. Diskutimi për infrastrukturën është një justifikim nëse thuhet në vazhdimësi. Për lojtarët mundohemi t’i marrim gjithmonë më të mirën dhe kam parë që secili prej tyre dëshiron të fitojë”.

Matko Djarmati te Dinamo? “Ne kemi kotrata një vjeçare me stafin, ndërsa me lojtarët kemi kontrata të ndryshme. Nuk përjashtohet asgjë pasi gjithsecili ka ambicie të veta. Me Matkon kam një raport shumë të mirë. Është bërë një disktuim brenda nesh dhe unë dua t’i qendroj këtij raporti deri në fund”, u shpreh Xhaferi. /newsport/