Një lajm i bujshëm vjen nga Italia, ku është mësuar se e ardhmja e Nedim Bajramit do të jetë që nga e vera e ardhshëm në një prej klubeve kryesore në Itali, Napolit. Fantazisti i përfaqësues shqiptare, ka rënë në sy në këto vite me Empolin që në moshë mjaft të re dhe shihet nga të gjithë si një nga yjet e së ardhmes.
Janë të shumta klubet që e monitorojnë dhe vazhdimisht është folur për interesim të skuadrave të ndryshme për të siguruar shërbimet e tij nga Empoli. Por me sa duket, Napoli ka hedhur hapin vendimtar për të siguruar një “po” nga klubi dhe nga vetë lojtari, i cili është i gatshëm që të nisë këtë aventurë të re në një klub ku fantazistët kanë qenë gjithmonë idhujt e tifozerisë.
Në verë nga Napoli largohet Lorenco Insinje dhe klubi kërkon një lojtar të mirë, por jo me kosto të lartë, të cilit t’i jepet koha e duhur që të përshtatet me ekipin. Ndaj është piketuar Bajrami, i cili shihet si një i ri me të ardhme të sigurt në skena të rëndësishme të futbollit europian. Gjithçka do të bëhet shumë më e thjeshtë me përfshirjen e emrit të Lupertos në marrëveshje, me mbrojtësin që ishte i huazuar nga napolitanët te Empoli e tashmë mund të kalojë në formë përfundimtare.
Gjithashtu, në Itali sigurojnë se ka qenë Edi Reja ai që ka këshilluar presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentis, që të blejë Bajramin, duke e garantuar se futbollisti shqiptar ka aftësitë të bëhet një emër i madh dhe të ndihmojë Napolin të arrijë objektiva të rëndësishëm.