Lajm i bujshëm dhe tronditës për futbollin europian: Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për ndeshjen PSG-Crvena Zvezda të fituar 6-1 nga vendasit 3 tetorin e kaluar. Një takim ky që ka qenë i vlefshëm për javën e dytë të Champions League.
Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja franceze “L’Equipe”, që ka shkruar se autoritetet franceze janë vënë në lëvizje pas një sinjalizimi të marrë nga UEFA.
Një nga figurat më të rëndësishme të klubit serb mësohet se ka provuar të vendosë një bast prej miliona eurosh për humbjen me të paktën 5 gola diferencë të skuadrës.
Neymar realizoi një tregolësh për parisienët në takimin e luajtur në “Parkun e Princave”, teksa Edinson Cavani, Di Maria dhe Kylian Mbappe realizuan të tjerët. Goli i vetëm i Crvenas u shënua nga Marko Marin.
Në të shkuarën ka pasur dyshime edhe për një fitore mjaft të thellë të Lyon ndaj Dinamo Zagrebit, ndërsa klubi i fundit i dënuar nga UEFA është Skënderbeu.
Nëse UEFA hap një çështje në ngarkim të Crvena Zvezda, mund të kemi një tjetër dënim shumëvjeçar dhe do të ishte një njollë për futbollin serb, por edhe për Champions League./telesport/