Ndryshime trajnerësh tek një tjetër skuadër e Superiores. Roberto Bordin nuk do të jetë më trajner i Tiranës. Është arritur akordi mes palëve që italiani të mos vazhdojë në krye të bardhebluve.
Mediat bëjnë të ditur se është anuluar stërvitja e paradites dhe do të zhvillohet pasdite sepse pas largimit të Bordinit do të vijë trajneri i ri, Ardian Nuhiu.
Ai do të vihet menjëherë në punë me Tiranën, ku do të drejtojë seancën e pasdites. Pasi përfundoi bashkëpunimin me Gjilanin ku qëndroi për 1 vit e gjysmë, tashmë 46-vjeçari do të drejtojë kryeqytetasit.
Në këtë mënyrë Nuhiu do të bëhet trajneri i tretë që do të drejtojë bardheblutë këtë sezon sepse siç dihet e nisi me Vangjel Milen në pankinë, për të vazhduar me Roberto Bordin dhe tashmë me Nuhiun.
 
 


