Sulmuesi shkodran Belajdi Pusi po bën një sezon shumë të mirë me ekipin e tij Fakel në Ligën e Parë ruse teksa ka arritur të shënojë deri më tani 13 gola dhe të kryesojë renditjen e golashënuesve më të mirë të kampionatit. Njëkohësisht edhe ekipi i tij kryeson me meritë renditjen dhe duket në rrugë të mbarë për ngjitjen në Superligë.
Por Pusi me shumë mundësi do të shkojë më shpejt në Superligë ngaqë disa skuadra të saj kanë shprehur interes për të dhe nuk përjashtohet mundësia që një transferim i tillë të kryhet brenda merkatos së dimrit.
Por nga ana tjetër, për sulmuesin 27 vjeçar shkodran sot ka ardhur një lajm tjetër që mund ta ndihmojë pikërisht për këtë transferim të shumëpritur. Ai është bërë zyrtarisht pjesë e agjensisë së menaxhimit “SSM” që drejtohet nga menaxheri i njohur Shkumbin Qormemeti. Ky i fundit njihet edhe për lidhjet e tij me klubet ruse sepse ka transferuar aty disa futbollistë shqiptarë.
Lajmin për këtë marrëveshje e ka bërë të ditur vetë kjo agjensi sot kur shkuan se Belajdi Pusi tashmë është pjesë e familjes së tyre. Deri tani, sulmuesi në fjalë ka qenë i menaxheri nga shkodrani Alsid Tafili, i cili e ka ndihmuar jo pak të mbërrijë deri aty ku ka mbërritur.


