U duk se ndërprerja e kampionatit do t’i shërbente për mirë ekipit të Vllaznisë për rikuperimin e disa lojtarëve që kishin probleme me dëmtimet e tyre, por duket se nuk ka ndodhur kështu dhe si rrjedhojë skuadra shkodrane do të ketë mungesa edhe në ndeshjen e rradhës ndaj Bylisit.
E sigurtë është mungesa e Elmando Gjinit, për arsye të plotësimit të numrit katër të kartonave të verdhë. Por përpos tij pritet të ketë edhe mungesa të tjera. Kështu mesfushori Qato vijon të jetë jashtë skuadre për shkak të shqetësimeve që ka ndjerë në gjurin e tij.
Po ashtu, edhe Bismark duket se ende nuk është plotësisht i rikuperuar pas problemeve që ka patur dhe nuk është e sigurtë nëse do të udhëtojë me skuadrën drejt Ballshit. Përpos tyre, me shqetësime vijon të jetë edhe Murataj, edhe ky në dyshim për këtë takim.
Por pavarësisht këtyre shqetësimeve, stafi teknik i kuqebluve është optimist për marrjen e një tjetër rezultati pozitiv edhe në sfidën e rradhës ndaj Bylisit, për të ruajtur në këtë mënyrë edhe vendin e parë në tabelën e klasifikimit edhe pas kësaj jave.(www.shkodrasport.com)