Nuk janë vetëm Juventus e Lacio që po ndjekin me shumë interes Marash Kumbullën dhe janë gati që të hedhin hapa konkret për të siguruar firmën e mbrojtësit të ri shqiptar. Vetë menaxheri i lojtarit, Xhiani Vitale, ka konfirmuar se për të tani ka interes konkret edhe nga një tjetër emër i madh në Itali, Interi i Antonio Kontes.

“Po, Interi po e ndjek dhe e monitoron. Klubi zikaltër është gjithmonë shumë i vëmendshëm ndaj profileve të rinj që bien në sy në elitë dhe në të gjithë kampionatet e tjerë. Në këtë moment nuk flitet për negociata të hapura mes Interit dhe Veronës”, theksoi ai për mediat italiane.

Pavarësisht këtij interesimi të dukshëm, askush nuk ka bërë një hap konkret para për të siguruar lojtarin. “Verona është një klub i qëndrueshëm dhe do të bëjë vlerësimet e veta në fund të kampionatit. Merkato përbëhet nga mundësi, nëse do të shfaqen të tilla do të bëjmë vlerësimet e duhura.

Interesim për të ka nga Italia dhe nga Europa. Nuk ka ende një vlerësim të kartonit të tij, pasi nuk ka pasur klube që janë ulur në tavolinën e bisedimeve me klubin e tij”, shpjegoi ai, duke saktësuar se të gjithë zërat që qarkullonin për transferime, për momentin ishin thjesht teori e nuk kishte asgjë konkrete. /vipsport/