Së fundmi, te Vllaznia është zyrtarizuar largimi i fantazistit, Victor Da Silva. Braziliani në dy vitet e fundit te shkodranët ka qenë truri i lojës, teksa ia doli që me kuqeblutë të shijojë edhe dy Kupa të Shqipërisë.

Kështu, përveç Da Silvës, te Vllaznia e ka mbyllur edhe Mickael Panos. Gjashtë muajt e fundit, mesfushori francez i kaloi në Shkodër, duke mos marrë hapësira, teksa arriti të luante vetëm 43-minuta në fushë. Burime pranë klubit tregojnë për “Shkodra Sport”, se 25-vjeçari e ka mbyllur me Vllazninë, edhe pse ende nuk ka një njoftim zyrtar.

Panos u mendua të ishte një përforcim i rëndësishëm për mesfushën e kuqebluve, por në fakt nuk u preferua asnjëherë, ashtu si duhet nga të tre trajnerët që e drejtuan këtë skuadër në sezonin e ri, Brdariç, Plori dhe Josa.

Si rrjedhojë, divorci i tij me kuqeblutë ishte mëse i pritshëm dhe ndoshta madje edhe i vonuar. Poashtu, përveç tij, edhe Krymi dhe Da Silva janë larguar nga Vllaznia, ndërsa në fundin e kontratës tashmë për momentin, janë vetëm Mevlan Adili dhe Darko Bulatoviç, teksa edhe me këtë fundit gjithçka është drejt akordit.

Maringlen ZHIVANI