Duket e pazakontë, por është realitet. Bashkia e Dimalit akordon një fond kolosal për infrastrukturën. Plot 400 milionë lekë (të vjetër) do të hidhen për të ndërtuar në fushën sportive të qytezës që pozicionohet 11 km nga Berati dhe 7 km nga Kuçova, duke e kthyer destinacionin e saj në një stadium. Gjithë ky investim bëhet për Osumin, një ekip që momentalisht nuk… ekziston.

SITUATA ME EKIPIN

Ndonëse prej 5 vitesh ka tentuar ngjitjen në Kategorinë e Dytë, këtë edicion nuk militojnë askund. Nuk marrin pjesë në asnjë garë dhe nuk u mbetet gjë tjetër veçse të presin sezonin e ardhshëm, që të regjistrohen në Kategorinë e Tretë.

E megjithatë, fizikisht ekip ka dhe drejtohet nga trajneri Sokol Çela. Skuadra nga Ura Vajgurore vazhdon të stërvitet dhe luajë ndonjë miqësore, por vetëm kaq. E megjithatë, stafi dhe lojtarët janë pjesë e borderosë së bashkisë dhe paguhen.

PLANI I KRYEBASHKIAKES

Plani i kryebashkiakes është krejt tjetër sidoqoftë. Në kërkim të mandatit të saj të tretë elektoral, Juliana Mema ka menduar që ta vendosë fokusin te futbolli. Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport” ajo shpjegon rëndësinë e këtij investimi, që ka gjetur edhe mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Që kur mora Bashkinë Dimal, e kam ndier detyrimin tim që të investojmë në sport. Qytetarët dhe sportdashësit tanë janë endur duke bërë tifozllëk për Tomorin dhe Naftëtarin prej dekadash me radhë. Personalisht kam qenë shumë e ndjeshme në këtë rast, ndaj qysh në mandatin tim të parë, kam punuar për ndërtimin e fushës sportive, që ka marrë një investim të konsiderueshëm. Edhe pse për pesë sezone që investuam edhe për skuadrën në Kategorinë e Tretë, nuk ia kemi dalë që të realizojmë objektivin dhe ngjitemi në të Dytën.

Në këtë sezon që jemi pjesëmarrës në asnjë ligë, kemi vendosur që finalizojmë ëndrrën e qytetarëve të Urës Vajgurore. Bashkia Dimal siguroi fondin prej 400 milionë lekësh për rikonstruksionin e fushës sportive. Pas këtij investimi, ajo do të ketë pamjen e një stadiumi. Më duhet të falënderoj për bashkëpunimin e ngushtë FSHFnë dhe presidentin Armand Duka, që bashkërisht po i krijojmë këtë mundësi qytetarëve të Urës Vajgurore.

Për Bashkinë Dimal, ky investim mbetet pa dyshim një plotësim i detyrimit ndaj qytetarëve dhe opinionit tonë futbolldashës. Stadiumi ‘Osumi’ jo vetëm që do të ketë parametra bashkëkohorë, me tribuna dhe fushën më të mirë të qarkut Berat, por edhe do të garantojë argëtimin dhe zhvillimin e një futbolli cilësor për të rinjtë e apasionuar të këtij qyteti. Unë deklaroj me përgjegjësi të plotë, se fusha e stadiumit të Urës Vajgurore do të jetë nga më të mirat dhe jo vetëm në qarkun tonë, por më gjerë”, përfundoi e para e Bashkisë Dimal./panorama-sport/