✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Një histori e rrallë vjen nga basketbolli shkodran. Samuel Bazhdari, vetëm 16 vjeç, ka arritur të zhvillojë tre ndeshje brenda një dite, duke treguar pasion, energji dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për lojën e tij të preferuar.

Lojtari i talentuar i Vllaznisë e nisi ditën e djeshme me ekipin U-16, ku luajti plot 40 minuta dhe ishte ndër më të mirët në parket, duke realizuar 34 pikë.

Por performanca e tij nuk përfundoi aty. Vetëm pak orë më vonë, Bazhdari u aktivizua edhe me Vllazninë U-18, ku qëndroi në fushë 28 minuta dhe shtoi 7 pikë të tjera për skuadrën kuqeblu.

Dhe për ta bërë ditën edhe më të veçantë, ai mori pjesë edhe në ndeshjen e ekipit të të rriturve ndaj Pogradecit, duke u aktivizuar për 2 minuta. Në total, i riu shkodran kaloi 70 minuta në parket gjatë një dite të vetme. Diçka vërtetë e rrallë!

Një rast i pazakontë për basketbollin shqiptar, që tregon jo vetëm ngarkesën, por edhe besimin që trajnerët e Vllaznisë kanë te ky talent i ri. Samuel Bazhdari është tashmë një nga lojtarët më premtues të akademisë shkodrane dhe konsiderohet si një aset për të ardhmen e basketbollit kuqeblu.

Bazhdari ka nisur rrugëtimin e tij sportiv që në moshë të vogël, duke e kthyer pasionin për basketbollin në mënyrë jetese. Me ritmin dhe përkushtimin që po tregon, shumëkush beson se shumë shpejt ai mund të bëhet një pika kyçe edhe në ekipin e të rriturve, pavarësisht moshës së tij ende fare të re.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”