Vllaznia do luajë sot në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania” ndeshjen e fundit të sezonit 2021-22. Përballë do ketë Laçin në finalen e kupës së Shqipërisë, një trofe në lojë, por edhe rruga e suksesit që të dërgon në Europë. Në kampin kuqeblu kjo ndeshje ka rëndësi akoma edhe më të madhe, për shkak se ende nuk është arritur kualifikimi në kompeticionet europiane.
Por ironia apo fati e do që ndeshjen e fundit të edicionit futbollistik, shkodranët ta mbyllin me skuadrën që e nisën këtë sezon. Pikërisht ekipi i Laçi do ishte kundërshtari i parë në kampionat në 11.09.2021. Takimi i parë i fazës së parë ku shikoi një rezultat spektakolar mes dy skuadrave. Vllaznia do fitonte në shifrat 3-5 në fushën e bardhezinjve.
Protagonistë do ishin Latifi, Aralica, Da Silva, Gurishta dhe Kaina që secili me nga një gol do i jepte suksesin e parë sezonal, skuadrës që në atë periudhë drejtohej nga Brdariç. Një fitore që do entuziasmonte të gjithë në Shkodër për një Vllazni triumfuese në fund të kampionatit. Pavarësisht se gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve në fund të Superligës.
Dhe ashtu siç e filluan këtë sezon, ashtu edhe shpresojnë që ta përfundojnë tek Vllaznia. Kundërshtari është i njëjtë si në shtator dhe shumë i njohur e i sprovuar gjatë kampionatit. Tashmë mbetet vetëm që të ripërsëritet suksesi, mjafton edhe një fitore e thjeshtë dhe jo aq spektakolare siç ishte rezultati 3-5 i fazës së parë.
Endri ÇINARI