Emri i Eraldo Çinarit ka qarkulluar shpesh në këto ditë si i një lojtari i cili do të largohet nga skuadra e Samsunspor në kategorinë e dytë turke. Ish-sulmuesi i Partizanit është përfolur vazhdimisht si një përforcim në klube të ndryshme të Superiores apo edhe te Shkëndija e Tetovës.

Por përkundër asaj që mund të mendohet për të pas këtyre zërave, gjërat nuk kanë ndryshuar për sulmuesin, pasi Samsunspor ka filluar që t’i japë më shumë hapësira dhe largimi i tij nuk duket edhe aq i sigurt.

Pak ditë më parë, Çinari shënoi dy gola në një miqësore përgatitore ndaj Rapid Bukuresht dhe ky sinjal u ka mjaftuar drejtuesve të klubit. Kështu, në ndeshjen e sotme të kampionatit në transfertë ndaj Balikesirspor, Çinari e ka nisur sfidën nga stoli, teksa është aktivizuar në minutën e 58 të duelit që skuadra e tij fitoi me shifrat 2-0.

Një sinjal nga klubi se futbollisti mund të ketë shanset e tij para mbylljes së merkatos dhe duhet të shfrytëzojë ato për të siguruar vazhdimësinë në radhët e Samsunspor, i cili i është bashkuar grupit të ekipeve që luftojnë për ngjitjen në elitën e futbollit turk.