Procesi i licensimit të klubeve shqiptare për Europën dhe kategoritë e ndryshme të futbollit në vend, ka nisur në fund të vitit 2020 dhe shumë shpejt do të finalizohet me vendimet që do të dorëzihen në selitë e klubeve të interesuara.

Pas dorëzimit të dosjeve deri në datën 31 Mars pas një procesi jo pak të lodhshëm dhe stresues, ishin ekspertët ata që vlerësuan detajet financiare dhe tashmë i takon komisionit të licensimeve të dalë në përfundimet e tij.

“Dosjet u kanë kaluar ekspertëve, të cilët kanë përpiluar raportet përkatëse. Ngelet për të përpiluar vendimin përfundimtar, për dhënien apo refuzimin e licensave. Ecuria është positive, por ka akoma skuadra që mund të refuzohen. Proçesi duhet thënë se ka ecur dhe klubet janë sensibilizuar jashtë mase, kjo ka bërë që të plotësohen më mirë kushtet dhe dokumentacioni i aplikimit për secilin klub”.

Kreu i zyrës së licensimeve, Eduard Gjini shton më tej se barazia e rregullores për t’u licencuar në Europë dhe Superiore, e ka ndihmuar shumë procesin e formalizimit më të shpejtë të klubeve.

“Barazia e rregullores së UEFA-s me atë të Kategorisë Superiore ka bërë një përmirësim të dukshëm në pjesën e kriterit më të rëndësishëm që është ai financiar, në të gjitha klubet e Kategorisë Superiore, por edhe në klubet kandidate të Kategorisë së Parë, të cilat aspirojnë të marrin pjesë në Superiore në sezonin e ardhshëm”.

Nga FSHF burim optimizëm për licencimin e emrave që përflitet të ngjiten nga e para në Superiore apo edhe për klubet që kanë pasur problem të mëdha me aspektin financiar si Tirana dhe Vllaznia, të cilat kanë luftuar me kohën për të plotësuar dosjen e licencimit për Europën.

“Tirana dhe Vllaznia, në dijeninë time kanë plotësuar dosjen për pjesën e kriterit financiar dhe eksperti ka bërë një raport të përmbledhur për komisionin, i cili do të japë dhe vendimin përfundimtarë”.

Përballjet europiane, në Shqipëri mund të luhen vetëm në 4 stadiume. Gjini zbulon emrat e tyre.

“UEFA , në vendimin e fundit që ka marrë, ka përcaktuar që skuadrat që do marrin pjesë në Kupat e Europës duhet të luajnë në stadium të kategorisë së dytë dhe me ndriçim. Në rastin konkret, stadium të kategorisë së dytë është ai i Laçit si dhe disa të tjera, por nuk mund të luhet sepse nuk ka ndriçim.

I vetmi stadium I kategorisë së dytë, që ka ndriçim dhe ka marrë licensën është “Niko Dovana” i Durrësit. Natyrisht, tre stadiumet e kategorisë së katërt, “Loro Boriçi”, “Elbasan Arena” dhe “Air Albania” janë të kualifikuar”, ka përfunduar Gjini.