Shkruar nga Endri ÇINARI
Në prag të përballjes mes Vllaznia dhe Dinamo Tirana, e vlefshme për javën e 29-të të Superiores, vëmendja është përqendruar te kapiteni i kuqebluve, Bekim Balaj. Sulmuesi shkodran duket se vjen në këtë sfidë me një ogur pozitiv, duke qenë një nga elementët kyç që mund të bëjë diferencën në një duel që pritet të jetë mjaft i luftuar.
Statistikat e këtij sezoni flasin qartë në favor të 35-vjeçarit, i cili ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në të tre përballjet e mëparshme ndaj kryeqytetasve. Një tregues i qartë i “makthit” që Balaj përfaqëson për prapavijën blu, duke e kthyer atë në një pikë referimi të padiskutueshme për repartin ofensiv të Vllaznisë.
Në fazën e parë të kampionatit, pavarësisht humbjes 3-1 të shkodranëve, ishte pikërisht Balaj ai që realizoi golin e vetëm për skuadrën e tij, duke dhënë sinjalet e para të një sezoni ku do të ishte protagonist ndaj Dinamos. Një paraqitje që, edhe pse nuk u shoqërua me rezultat pozitiv, tregoi instinktin e tij të lindur për gol.
Në fazën e dytë, kapiteni i Vllaznisë u shndërrua në heroin e ekipit, duke vendosur fatin e takimit me një gol të vetëm, por të mjaftueshëm për t’i dhënë tre pikët skuadrës së tij. Një fitore minimale 1-0, ku përvoja dhe qetësia e Balajt përpara portës rezultuan vendimtare.
Ndërkohë, në fazën e tretë, sulmuesi shkodran ishte sërish protagonist, duke zhbllokuar rezultatin në fitoren 0-2 në transfertë ndaj Dinamos. Në atë sfidë, ekipi i drejtuar nga Edi Martini dominoi dhe vulosi suksesin me një tjetër gol të realizuar nga Sherif Kallaku, duke konfirmuar momentin pozitiv të kuqebluve.
Tashmë, përballja e radhës sjell sërish në qendër të vëmendjes numrin 9 të Vllaznisë, i cili kërkon të rikthehet te goli pas ndalesave në sfidat ndaj Flamurtari dhe Egnatia. Me statistikat që flasin në favor të tij dhe me eksperiencën që e karakterizon, gjithçka duket e përgatitur që Bekim Balaj të jetë sërish protagonist dhe të mbajë gjallë shpresat e shkodranëve në këtë fazë vendimtare të sezonit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


