Vllaznia do startojë ditën e sotme fazën e tretë të kampionatit. Shkodranët do jenë në transfertë në orën 19:00, në qytetin e Durrësit.
Ku përballë do ketë ekipin e Erzenit, një nga surprizat më të bukura të këtij edicioni në Superiore. Megjithatë për kuqeblutë mbetet si objektiv fitorja.
Kjo për tu afruar sa më shumë me kreun, ku Tirana u mund ditën e djeshme kundër Kukësit në shifrat 2-0. E po ashtu për tu rikthyer tek fitorja pas humbjes në Ballsh. Duke qenë se edhe kalendari në ndeshjet që vijojnë është në favor të kuqebluve. Pasi shkodranët në dy javët e ardhshme do presin në “Loro Boriçi” ekipet e Kukësit dhe Tiranës.
Po ashtu ndaj Erzenit do jetë me të vërtetë një duel i fortë. Duke parë se shijakasit së bashku me Egnatian janë dy ekipet e vetme që Vllaznia nuk i ka mposhtur këtë sezon.
Përballë shijakasve, kuqeblutë u mposhtën në ndeshjen e parë të sezonit me rezultatin 1-0 e ndërsa morën vetëm një barazim 2-2 në takimin e fazës së dytë në Shkodër.
Tashmë duket se do jetë e “treta e vërteta” për Vllazninë, për të marrë pikët e plota kundër Erzenit. Takimi i sotmë mund të caktojë shumë edhe në ecurinë e javëve që vijojnë.
Prandaj edhe vëmendja e tifozëve shkodranë do jetë shumë e madhe në ndeshjen sonte në Durrës. Ku madje pritet edhe një numër i konsiderueshëm tifozësh nga Shkodra në shkallët e “Niko Dovanas”.
Endri ÇINARI