Një lajm i trishtë ka mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka ndërruar jetë në moshën 87 vjeçare ish- basketbollisti i njohur dhe njëkohësisht trajnei i Vllaznisë Bujar Golemi. Ai kishte mbi 20 vite që jetonte në këtë vend bashkë me familjen e tij dhe atje ka mbyllur edhe sytë për herë të fundit.
Ai është një nga emrat e njohur të basketbollit tonë. Filloi të merret me basketboll që në moshë të re dhe luan me ekipin e të rinjve të Vllaznisë fillimisht dhe më pas kalon edhe tek ekipi i parë me të cilin luan shumë pak sepse nis studimet e larta në Tiranë dhe si rrjedhojë do të spostohej atje.
Gjatë viteve të shkollës do të bëhej pjesë e 17 Nëntorit me të cilin edhe shpallet kampion në vitin 1960. Pas përfundimit të studimeve kthehet në qytetin e tij të lindjes dhe luan sërish me Vllazninë por vetëm për pak kohë sepse do t’i përkushtohej inxhinierisë.
Megjithatë vite më vonë do t’i rikthehej sërish basketbollit por këtë herë në rolin e trajnerit duke e drejtuar me sukses ekipin e Vllaznisë.
Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm në sport. Pas ndryshimeve demokratike, ai u angazhua në jetën politike të vendit, duke përfaqësuar Shkodrën si deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë në Parlamentin e parë pluralist të Shqipërisë, në vitet 1991–1992, një periudhë kyçe në historinë moderne të vendit.
Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet familjes Golemi për humbjen e njeriut të saj të dashur, por edhe komunitetit të basketbollit shkodran për ndarjen nga jeta të një pjestari dinjitoz të tij. I përjetshëm qoftë kujtimi yt Bujar Golemi!


