Nga Xhevdet ZEKAJ
U shua Ismet Bellova – institucioni i ligjërimit profesionist dhe modern, legjenda shqiptare e sportit, mjeshtër i komunikimit sportiv me një zë plot energji, elokuencë dhe pasion.
Luftëtar i palodhur për të mirën, mik bujar për këdo, njeri që përkrahte çdo talent sportiv e intelektual. Shkrimtar që ka memorizuar dhe fiksuar në kujtesën kombëtare historinë e sportit shqiptar, duke e kthyer fjalën në dokument dhe emocionin në trashëgimi.
Burrë i madh paqësor, modest deri në madhështi. Mësues, sportist, prind, bashkëshort, gjysh – një oqean i pafund dashurie, ëmbëlsie dhe mirësie.
Një dibran i madh, ku ndershmëria ishte e lartë, e bardhë dhe krenare si Mali i Korabit.
Ismet Bellova ishte një drejtues modern kudo ku punoi, një shembull profesionalizmi, qytetarie dhe etike.
Për mua, Profesori ishte një mik i madh: më ka mbështetur dhe më ka vlerësuar, më ka kritikuar dhe më ka këshilluar.
Një figurë që lë gjurmë dhe që nuk harrohet.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes.
Të rroni dhe ta kujtoni gjithmonë.
Respekt i thellë për punën dhe kontributin e tij në fushën e gazetarisë, të mësimdhënies dhe të shkrimit sportiv.
Do ta kujtojmë përherë si njeri me vlera të larta, jo vetëm qytetare, por edhe profesionale.
I paharruar qoftë kujtimi i tij.


