Seria e fitoreve radhazi e ka afruar Lacion në vetëm 6 pikë nga Juventusi dhe 3 nga Interi, duke bërë që edhe bardhekaltrit të jenë pjesë e luftës për titull. 

igli-tare

Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, gjatë mbrëmjes për festat e fundvitit, e cila u organizua të martën, nuk kishte se si të mos fliste për periudhën që po kalon skuadra, por si gjithmonë shqiptari i peshoi mirë fjalët e tij:

“Dhe të mendosh që vetëm një muaj e gjysmë më parë na konsideronin bërryla, të mbaruar… Por përmbysja ndaj Kaljarit konfirmon që jetojmë në një qytet ku mjafton pak për të kaluar nga shkëlqimi në dështim”, deklaroi Tare, duke thumbuar disi sjelljen e tifozëve gjatë periudhës kur skuadra nuk po ecte mirë. Me suksesin e arritur në Kaljari, tashmë kreu i klasifikimit është fare pranë, aq më shumë që ata ishin të vetmit të cilët arritën të mposhtin Juventusin, gjë që e ka rritur shumë entuziazmin në ambientin lacial.

Më pas drejtori sportiv foli për momentin e artë që po kalon ekipi: “Duhet ta shijojmë me entuziazëm këtë moment, pasi është vërtet i bukur dhe magjik, por duhet të nënvizoj që kemi një rrugë të gjatë përpara”. Më pas, kur dëgjon që Lacio e tij të përmendet si pretendente në luftën për titull, Tare bëhet serioz:

igli tare

“Më pëlqen të jem entuziast dhe të them që nuk duhet të kemi frikë për të luftuar për ta fituar kampionatin, por duhet të jemi të kujdesshëm pasi kemi përpara skuadra që janë ndërtuar në një tjetër mënyrë dhe kështu që duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”. Tare tregon edhe keqardhjen e këtij sezoni: “Është eliminimi nga Europa League, pasi kemi dalë nga ky kompeticion për fajin tonë”. Në fund 46-vjeçari flet edhe për grupin që ka arritur të ndërtojë:

“Është një skuadër që nuk ka lindur sot, por e ndërtuar prej kohësh. Ndaj Kaljarit u pa shpirti i grupit. Tashmë sfidojmë Juventusin në Superkupë dhe jemi gati edhe për betejën e radhës që na pret. Pasi do të ishte shumë bukur që ta mbyllnim vitin me një trofe kaq të rëndësishëm”, përfundoi shqiptari./panorama-sport/