Të paktë ishin ata që i mbijetuan fortunës së Kukësit pas mbylljes së edicionit të kaluar, me klubin që largoi pjesën më të madhe të lojtarëve. Ata që u mbajtën, klubi shpresonte t’i sistemonte në ekipe të tjera duke i shitur në rastin më të mirë, ose më e pakta të krijonin bazën për skuadrën e këtij edicioni.
U tentua një huazim me portierin Angelo Tafas dhe sulmuesin Atdhe Rashiti tek Gjilani në Europës, për t’i vendosur në “piacë” dhe të shiheshin nga skautë të ekipeve të huaja. Dhe, duket se frytet e kësaj strategjie mund të shihen shumë shpejt. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se Rashiti që mund të përfundojë tek Ballkani, ndërsa nga ana tjetër, mesfushori Abdou Mbarak, pritet të transferohet në Turqi tek Adanaspor.
RASHITI – Sulmuesi pritet të shkojë tek skuadra e Ballkanit në Kosovë, ekip që drejtohet nga Ilir Daja. Ai është nën kontratë me verilindorët dhe natyrisht nuk mund të shkojë gratis, por mësohet se klubi i Ballkanit ofron një shumë që duket se josh Kukësin për ta shitur kartonin e lojtarit. Për momentin mes palëve po diskutohet një shitje përfundimtare dhe kuksianët të mbajnë një pjesë të kartonit. Gjasat janë që ky operacion të mbyllet këto ditë, nëse në fund të gjitha palët do të bien dakord për të kryer transferimin e 24-vjeçarit.
MBARAK – Për mesfushorin nga Mauritania ka shfaqur interesim klubi i Ligës së parë turke, Adanaspor dhe palët janë duke diskutuar rreth shifrave të këtij operacioni. Kukësi kërkon të përfitojë sa më shumë, teksa Abdou është nën kontratë edhe për dy vite. Duket sikur është gjithçka e mbyllur, por këto ditë do të mësohet përfundimisht edhe e ardhmja e afrikanit.
Mbarak konsiderohet si një nga futbollistët kryesorë tek blutë, teksa edhe vetë trajneri Rraman Hallaçi nuk i kurseu elozhet, duke e konsideruar si një garanci në mesfushë. Nëse përfundimisht ai largohet, do të lërë një boshllëk jo të vogël në mesfushë. Megjithatë, nëse klubi mbush arkat, atëherë edhe ky largim është mëse i justifikueshëm dhe do të shihet për të tjera përforcime.