Barazimi u mbrëmshëm i Vllaznisë përballë Teutes nuk është se la një shije shumë të mirë te opinioni i përgjithshëm në Shkodër.
Kuqeblutë po kryesonin me 1 gol dhe po ashtu ishin në avantazh numerik pas daljes me karton të kuq të Todorovskit për bregdetarët. Deri në momentet kur Kuombamba kërceu mbi të gjithë në zonë dhe vulosi shifrat përfundimtare 1-1.
Por opinionet dhe mendimet në qytet janë si titulli i filmit të famshëm shqiptar “Edhe kështu, edhe ashtu”. Ka prej atyre që janë të kënaqur me lojën e 9 herë kampionëve të vendit. Duke vlerësuar qarkullimin e topit apo edhe rastet e shumta të krijuara pavarësisht se nuk u shfrytëzuan në mënyrën më të mirë të mundshme. Apo edhe ndonjë gabim i arbitrit, duke justifikuar barazimin e shkodranëve.
Por ka “edhe ashtu”. Ka nga ata që janë krejtësisht të pakënaqur nga ky barazim. Kjo për faktin se shumë specialistë apo edhe tifozë vunë re një lloj “mendjemadhësie” nga ana e kuqebluve pas avantazhit. Dukej se u kalua në vetëkënaqësi dhe ekipi e pësoi nga diçka e tillë.
Këto shihen si këmbana alarmi pasi paraqitje të tilla nuk duhen përsëritur në të ardhmen. E po ashtu fitorja ndaj durrsakëve përveç vlerave sportive do kishte vlera të mëdha morale. Sepse do vinte përballë kampionëve dhe rivalëve të sezonit të kaluar.
Epo “edhe kështu, edhe ashtu”. Opionionet dhe mendimet janë nga më të ndryshmet dhe në qytet tema kryesore e ditës është Vllaznia. Pro dhe kundra do ketë çdo herë, por të gjithë bien dakord në faktin se kjo Vllazni është ndërtuar për gjëra të mëdha dhe ky duket viti dhe sezoni i duhur për rikthimin tek titulli kampion i munguar prej 20 vitesh.
Endri ÇINARI