Ngushtohet edhe më shumë numri i personave të infektuar me covid-19 tek ekipi i Vllaznisë. Nga 12 pjestarë të saj të cilët patën rezultuar pozitiv, kishin mbetur ende edhe 3 vetë të infektuar.
Por ky numër nga sot ka shkuar në 2 sepse edhe një tjetër futbollisti ka marrë përgjigjen e testit të dytë i cili e ka nxjerrë atë negativ. Bëhet fjalë për mbrojtësin maqedonas Aleksander Isaevski.
Ai ka marrë dje pasditen përgjigjen dhe sot i është bashkuar ekipit në stërvitje. Mjafton kjo foto e bërë sot para seancës stërvitore, pikërisht në takimin që kryebashkiakja Ademi dhe sponsori Xhaferi kanë patur me skuadrën, për të treguar praninë e mbrojtësit maqedonas bashkë me lojtarët e tjerë.
Përpara tij kishin marrë përgjigjen e testit edhe Gurishta, Imami, Marku, U. Hoxha, Bardulla, Çoba, Victor da Silva, Adili si dhe zëvendëstrajneri Plori.
Tashmë presin përgjigjen edhe dy lojtarët e fundit që ishin infektuar me covid-19, pikërisht Ismael Dunga dhe Christopher Mandiangu. Ata nuk ndjejën asnjë shqetësim, megjithatë për të qenë të sigurtë dhe për t’iu bashkuar ekipit në stërvitje, duhet të presin edhe përgjigjen e testit të dytë./SHKODRA-SPORT.COM/